AP, gati të padisë Izraelin për krime lufte

05/08/2014 00:00

Ministri i Jashtëm palestinez, Riad al-Malki, ka bërë të ditur se ekzistojnë “prova të qarta”, që implikojnë Izraelin në krime lufte gjatë ofensivës së tij në Gaza, teksa u takua me prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës, ditën e martë, me synimin për të nxitur hetime të mëtejshme.

Malki vizitoi Hagën vetëm pak momente pasi Izraeli dhe lëvizja e islamikëve palestinezë të Hamasit, që dominon në Gaza, nisën periudhën 3-ditore të paqes së ndërmjetësuar nga Egjipti, një përpjekje fillestare për të siguruar një armëpushim edhe më afatgjatë.

Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara nisën një hetim mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe krimet e akuzuara të kryera nga Izraeli gjatë ofensivës së tij, duke parë numrin tejet të madh të viktimave civilë dhe shkatërrimin masiv të infrastrukturës mes palestinezëve.

“Gjithçka ka ndodhur në këto 28 ditë është një provë e qartë për krimet e luftës së ndërmarra nga Izraeli, madje mund të konsiderohen edhe krime kundër njerëzimit”, tha Malki. “Nuk ka asnjë vështirësi për ne, për të shfaqur apo për të ngritur këtë çështje. Provat janë aty, njerëzit mund t’i shohin e mund t’i mbledhin. Izraeli ka shkelur haptazi ligjet ndërkombëtare”.

Malki u tha reporterëve se Autoriteti Palestinez, që dominon në Bregun Perëndimor, kërkon t’i japë juridiksion të plotë Gjykatës së Hagës për të hetuar krimet e akuzuara nga të dyja palët, në konfliktin e Gazës, dhe se e ka diskutuar këtë problem me prokurorët për t’iu bashkuar gjykatës.

Deri sa palestinezët të anëtarësohen totalisht në Kombet e Bashkuara, ku kanë fituar vetëm statusin e vendit vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme gjatë 2012-s, vështirë se Autoritetit Palestinez do t’i vijë në ndihmë Gjykata e Hagës, gjithsesi aplikimi pritet të bëhet “shumë shpejt” bën të ditur ministri i Jashtëm.

Vetëm duke iu bashkuar gjykatës, territoret palestineze do të mund të hapnin dyert për hetime për krime lufte të kryera nga të gjitha palët kundërshtare, madje edhe mes Hamasit dhe Fatahut brenda kufijve të tyre.

“Duam të sigurohemi realisht se, nëse marrim vendimin për t’u anëtarësuar në Gjykatën e Hagës, atëherë të gjitha fraksionet palestineze që do të pranojnë këtë vendim, duhet të dinë paraprakisht edhe pasojat e vendimit dhe shtrirjen e tyre”, tha Malki.

Por, sipas analistëve, Hamasi vështirë se mund të pranojë anëtarësimin në Hagë, nëse kjo do të nënkuptonte shanse të mëdha që lidershipi i tyre të merrej në hetim nga Haga, për atë që ata e quajnë mbrojtje legjitime ndaj okupacionit izraelit.

Top Channel