Izraeli tërhiqet nga Gaza

04/08/2014 00:00

Izraeli njoftoi tërheqjen e trupave të tij në pozicione mbrojtëse jashtë Rripit të Gazas.

Lëvizja mbërrin pak orë pas arritjes së një armëpushimi 3-ditor me Hamas-in të ndërmjetësuar nga negociatorët egjiptianë. Armëpushimi hyri në fuqi në orën 08:00 me orën lokale, ora 07:00 me orën tonë.

Izraeli thotë se objektivi kryesor i ofensivës disa-ditore, që është shkatërrimi i tuneleve nëntokësore dhe infrastrukturës së Hamas-it u arrit.

Konflikti 4-javor ka lënë pas të paktën 1800 palestinezë të vrarë, pjesa më e madhe civilë dhe 67 izraelitë, dy prej të cilëve civilë.

“Forcat mbrojtëse izraelite do të vendosen në pozicione mbrojtëse jashtë Rripit të Gazas dhe do të ruajnë këto pozicione”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë kolonel Peter Lerner.

Pak minuta para se të hynte në fuqi armëpushimi 3-ditor në Jeruzalem dhe Tel Aviv u dëgjuan sirenat e alarmit që njoftonin lëshimin e raketave nga ana e Hamas-it. Thuajse në të njëjtën kohë pala izraelite reagoi duke ndërmarrë disa sulme ajrore në Gaza.

Ofensiva izraelite nisi më 8 korrik me objektiv shkatërrimin e tuneleve të përdorura nga militantët palestinezë për të hyrë dhe ndërmarrë sulme ndaj popullsisë civile në Izrael.

Në përfundim, për palën izraelite objektivi është arritur. Janë shkatërruar 32 tunele nëntokësore, shkatërruar 3 mijë raketa dhe janë vrarë të paktën 900 “terroristë”.

Armëpushimi i njoftuar së fundmi shihet si një mundësi e mirë për t’u ardhur në ndihmë mijëra palestinezëve në nevojë urgjente humanitare në Gaza, megjithatë mbetet për t’u parë respektimi i kësaj marrëveshje. Pak ditë më parë, po me ndërmjetësimin e Egjiptit u njoftua një armëpushim i ngjashëm, por vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të tij luftimet rinisën sërish dhe bashkë me to edhe retorika e palëve se kush qëlloi e para.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA