Shteti është lojë

03/08/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Zakonisht, në gusht, njerëzit duan të dëgjojnë më shumë lajme për motin në mënyrë që të parashikojnë se si do të jetë sezoni i fundit i pushimeve; kanë dëshirë të mos dëgjojnë njoftime për anën serioze të jetës, për atë botë që në netët e gjata të dimrit i mbështillte me thirrma e britma sharjesh e ofendimesh apo klithma për eliminim të kundërshtarit politik.

Në gusht, njerëzit janë më të prirë që të dëgjojnë më shumë për modën e fundit të rrobave të banjos, për kremrat që përdoren tani në fund, qoftë për mbrojtjen nga dielli, qoftë edhe për shëndoshjen e lëkurës. Dhe si kurorëzim i këtij shpengimi të justifikueshëm, shqiptarët paraqiten më modernë se të gjithë banorët e trevës fantazmagorike të Ballkanit. Një gazetë e Prishtinës lajmëron se më 9 gusht, në kryeqytetin e Kosovës do të organizohet një “orgy party”, ashtu si në Londër. Të duket se kanë mbetur larg hakërrimat e atij klerikut nga një qytet i Kosovës që fyente vajzat dhe femrat shqiptare, të ngjan se imazhi kontrovers i arealit shqiptar shfaqet plotësisht. Është shumë e vështirë ta kuptosh një shqiptar, është e pamundur ta identifikosh atë deri në fund. Mirëpo, gushti i ka zbehur këto njoftime dhe lajmet hapen jo me ngjarje të lehta që do t’i shkonin këtij muaji. Vjedhja spektakolare në bankë kishte ndodhur katër vjet më parë, por jehona e saj përfshiu korrikun, do të zgjasë edhe pak në gusht dhe pastaj, shqiptarët, ashtu siç kanë bërë mot e jetë në historinë e tyre, do ta harrojnë atë dhe do të bëhen gati që, ashtu të shpenguar e si karikatura do t’i dorëzohen fatit të ri.

Vjedhja nuk është një lojë

Filozofët pa përjashtim, kur duan të shpjegojnë kuptimin e jetës, pra kur duan të kuptojnë se përse njerëzit në mbarë globin ngrihen në mëngjes dhe nisen atje ku ata mendojnë se janë të detyruar të shkojnë dhe gjithmonë me të njëjtin rregull dhe me të njëjtin ritëm, thonë se një nga kriteret që organizon jetën e njeriut është loja, principi i ndërtimit të saj si një lojë. Është e vështirë të thuhet se të rriturit imitojnë të vegjlit kur marrin prej tyre organizimin e jetës si një lojë apo të vegjlit shërbejnë për të rriturit si një model që jeta të mos deformohet, por të ndjekë rrjedhën e lojës. Ndryshimi i madh qëndron pikërisht në thelb të saj. Fëmijët e besojnë atë, të rriturit, shpeshherë, e dinë që jeta është një lojë, se ajo është e shkurtër dhe kanë prirjen që t’i prishin rregullat e saj. Ndaj edhe vjedhja spektakolare që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë është rasti flagrant i humbjes së besimit, i shkatërrimit të lojës. Mendoni për një çast se çfarë do të ndodhte sikur një ndeshje futbolli që ndiqet nga miliona njerëz, befas të shndërrohej në një gallatë të madhe. Lojtarët ta ndërprisnin lojën, ta merrnin topin e t’ia hidhnin njëri-tjetrit me dorë e të zgërdhiheshin në fushë. Ku do të kishin shkuar ato emocione dhe dridhje zemrash, ku do ta gjenim atë portretin e fëmijës që i rrëshqiste një pikë lot kur shihte se Brazili po humbiste thellë gjatë kampionatit të fundit botëror. Mendoni një çast sikur njerëzit të çmendeshin të gjithë dhe në vend që të shkonin në punë me veshjen serioze të saj, të hynin në zyra me rroba banjoje apo mendoni sikur Parlamenti të kthehej vërtet në një disko dhe deputetët, në vend që të miratonin ligje, të bëni striptizë. Mirëpo filozofët thonë se që të mos ndodhë e gjitha kjo, pra që njerëzit të mos çmenden, shoqëria ka krijuar mekanizmat që e kontrollojnë lojën dhe që ruajnë besimin tek ajo, që njerëzit dhe shtetet t’u ngjanë në këtë pikë fëmijëve të pafajshëm që besojnë me naivitet se kështjella që ata ndërtojnë në breg të detit është me të vërtetë e tillë dhe po t’ua prishësh ti u ke vrarë ëndrrën, i ke tronditur. Vjedhja që ndodhi në Bankën e Shqipërisë është një shkatërrim total i shtetit shqiptar. Ne jemi vrarë të gjithë në ëndrrën naive të besimit. Ne të gjithë, deri dje, besonim ashtu si fëmijët që paratë shtypen në një shtypshkronjë, merren që aty me seriozitetin më të madh dhe ruhen po ashtu si sytë e ballit. Ne deri dje nuk e kishim besuar se paratë, që ne të gjithë ua kemi besuar disa nëpunësve të zgjedhur që të na i ruajnë dhe të na i administrojnë sa më mirë, mund të preken. Njeriu është një kompleks instinktesh dhe është e natyrshme që tipografi që shtyp monedhat të tundohet nga dëshira që të marrë disa prej tyre. Nëpunësi që i ruan në Bankë, po ashtu, është nën kërcënimin e vazhdueshëm të joshjes për t’i përvetësuar ato. Por shteti, duke e njohur këtë natyrë të njeriut, ka krijuar mekanizma të tilla që ta ruajë njeriun dhe ai e di se një instinkt i tillë nuk mund të realizohet, sepse është e pamundur për shkak të masave të rrepta që ka vënë shteti për të ruajtur paratë tona, në këtë rast dhe për të shtypur instinktet asociale dhe kriminale në përgjithësi. Do të ishte krejtësisht normale që ky bixhozçiu i sëmurë të kishte tentuar njëherë, madje do të ishte normale që ai të kishte vjedhur njëherë, por që një njeri vjedh për katër vjet resht paratë në vendin më të mbrojtur të shtetit, në zemër të tij, pra, për katër vjet rresht, kjo është e paimagjinueshme. Dhe më e bukura, është në fund. Siç raportojnë mediat, bixhozçiu i mjerë, u dorëzua vetë, pra e ndërpreu vjedhjen vetë. Pra po të kishte qenë për këtë Bankë, për këtë shtet, ai do të kishte vijuar deri në fund deri ku askush nuk mund ta imagjinojë. Kjo vjedhje nuk është parë e dëgjuar në asnjë vend të botës, sepse nuk është spektakolare, në kuptimin që nuk ka prapa saj një organizim të sofistikuar. Kjo është vjedhja më banale në botë dhe më e madhja gjithashtu. Është shkërmoqja e kuptimit të shtetit, sepse nëpunësi që i ruan ato shkon në zyrë dhe për katër vjet rresht mbush qeset e plastmasës me para dhe kthehet në kazino.

Mirë në Bankë, po në kazino?

Unë nuk arrij të kuptoj dhe diçka tjetër. Si ka mundësi që një njeri shpenzon miliona dollarë në kazino dhe askush nuk e vë re këtë gjë. Shteti ka policinë dhe agjentët e krimit ekonomik, të cilët mesa di unë, duhet të kenë si objekt të punës së tyre ato vende ku qarkullojnë miliona lekë në ditë dhe ku dyshohet se pastrohen edhe paratë e krimit në ndonjë rast. Kazinotë u vunë në shënjestër të policisë shqiptare dhe gjithkush mund të mendonte se policia të paktën mund të kishte skeduar lojtarët e mëdhenj dhe me një analizë të thjeshtë mund të arrinte në përfundime të nevojshme. Si ka mundësi që ky bixhozçi ka prishur miliona dollarë në kazinotë e lagjes dhe asnjë polic apo ekspert apo punonjës i SHISH-it nuk e ka pikasur. Kam parë disa herë nga këta policët e krimeve, që kapardisen nëpër dyert e universiteteve apo spitaleve dhe e paraqitin si betejë të madhe kur arrijnë të nxjerrin me pranga nga spitalet ndonjë mjek apo nga universitetet ndonjë pedagog, apo nga gjykatat ndonjë gjykatës siç ishte rasti me të mjerin Pojanaku. Por nuk kam parë kurrë që këta policë të nxjerrin me pranga ndonjë kriminel të rrezikshëm apo mafioz me kollare e këmisha të bardha, nuk kam parë kurrë që këta, me investigimin e tyre të kishin parandaluar krime apo vjedhje spektakolare si kjo e fundit. Unë nuk mund ta kuptoj se si në këtë vend, askush nuk dyshon kur një person bën shpenzime marramendëse. Shtypi ka ditë që publikon të dhëna skandaloze për pasurinë e guvernatorit Fullani, por askush nuk ka dalë të na sqarojë se kjo pasuri është e ligjshme apo e paligjshme. Si ka mundësi që prokuroria apo agjencitë e tjera të kontrollit të pasurive nuk shprehen me këtë rast. Është miratuar një ligj që personat që kanë të ardhura në vit më shumë se 2 milionë lekë të reja duhet të deklarojë në tatime burimin e të ardhurave. Po ky Fullani, ato miliona euro me të cilat ka bërë vila e shtëpi, kujt ia ka deklaruar dhe si i ka justifikuar. Si ka mundësi që ky njeri nuk jep dorëheqjen, si ka mundësi që politikanët heshtin. Ndaj hajduti i Bankës na tregoi të gjithëve se ne nuk kemi shtet, se ne kemi vrarë besimin te shteti dhe unë nuk e di cili do të jetë skandali i radhës. Uroj të mos merrem me të në gusht të vitit tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA