
Europa godet bankat më të mëdha të Rusisë. Ky veprim drastik erdhi si pasojë e rritjes së presionit, që Unioni Europian po i bën Moskës lidhur me trazirat, që kjo e fundit ka shkaktuar në Ukrainë.
Në planin e detajuar të sanksioneve, që BE dhe SHBA publikuan, përfshihen “Sberbank” dhe “VTB Bank”, të dyja këto me një rëndësi të madhe në financat e vendit të tyre, dhe jo vetëm.
Njëri nga subjektet, “Sberbank”, ka më shumë se gjysmën e popullsisë së Rusisë, si klientë të saj, dhe banka ofron pothuajse një të tretën e të gjitha kredive, duke siguruar fonde jetike për ekonominë në vështirësi.
Aksionet ranë ndjeshëm, menjëherë pas verdiktit. Por, nuk munguan as reagimet nga pala e krerëve të bankave. Ata thanë se masat e Evropës “minojnë themelet e sistemit global financiar dhe nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës në Ukrainë”.
Përveç ndikimit, që BE po bën në financat e Rusisë, janë vendosur dhe një seri masash të tjera, lidhur me pajisjet ushtarake, sektorin e naftës dhe atë të teknologjisë.
Top Channel