Cristiano Ronaldo pranon se një ditë mund të rikthehet sërish te Manchester United.
Portugezi u bë një hero në “Old Trafford” gjatë periudhës së drejtimit të Sir Alex Ferguson, ku kaloi 6 sezone të suksesshme.
Anësori portugez kaloi më pas te Reali i Madridit për 90 milionë paund, në 2009-n, por nuk mund t’i harrojë kurrsesi momentet e bukura të kaluara në Manchester.
Edhe pse thotë se është i lumtur në “Bernabeu”, Ronaldo i lë një derë të hapur mundësisë së rikthimit te “djajtë” në të ardhmen.
I pyetur në lidhje me këtë, Ronaldo u shpreh për televizionin e Manchester United se “E dua Manchesterin dhe kurrë nuk mund të thuash kurrë në futboll. Sigurisht që jam i lumtur te Real Madrid, është shtëpia ime, është klubi im, por United më ka trajtuar në mënyrë të pabesueshme në të kaluarën, kështu që nuk i dihet”.
“Jam ende në kontakte me disa njerëz në Angli, sepse unë krijoj gjithnjë raporte të mira me njerëzit. Manchesteri ishte si familja ime e dytë”.
Me Fergusonin, Ronaldo fitoi 3 tituj të Premier League dhe 1 Champions League, përpara se të largohej për te “Los Blancos”.
Top Channel