ISIS vazhdon pushtimin e Irakut

03/08/2014 00:00

Iraku përfshihet në ofensiva të tjera ushtarake. Shteti islamik, i njohur ndryshe si ISIS, po zgjeron sundimin e tij duke marr nën kontroll edhe dy qytete të reja, ku më i madhi prej tyre është Sinjari, i lokalizuar në veri të Irakut, në kufi me Sirinë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka konsideruar aktet e fundit të ISIS si një tragjedi për banorët e zonës. E megjithatë të dhënat paraprake të OKB-së tregojnë se d3eri në 200 mijë persona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre pas terrenit të fituar nga militantët.

I dërguari i posaçëm i OKB-së në Irak, Nickolay Mladenov u shpreh se Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara për sigurinë e civilëve, pasi gjendja humanitare e tyre është raportuar si e tmerrshme dhe janë në nevojë urgjente për artikuj bazë, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe shërbimet mjekësore.

Më herët ISIS mori nën kontroll Zumar dhe dy fushat e naftës afër forcave kurde Peshmerga. Kryesisht shteti i ri islamik ka konfiskuar një pjesë të madhe të territorit në veri të Irakut që nga nisja e ofensivës së madhe në qershor.  

Top Channel