Himara nuk është polifonia politike e Ballkanit

03/08/2014 00:00

Pjetër Delia – Nuk është hera e parë që Himara po bëhet problem pa pasur probleme dhe këto probleme nuk i bëjnë himarjotët.

Vijnë njerëz nga jashtë shtetit, vijnë gazetarë e pseudogazetarë për t’u treguar himarjotëve se nga janë e se kush janë. Së fundi, vjen një gjirokastrit që, në fakt, për veten e tij nuk di se nga është e se kush është, e megjithatë ai tenton t’u bëjë të qartë himarjotëve se nga vijnë dhe kush janë. Ajo që nuk është thënë në shumë vite për Himarën ka gjithë jetën që dihet. Ajo është historia e Himarës.

***

Himara emrin e saj të vjetër e ka Nikë, një emër që daton përpara erës sonë. Një emër i tillë na del edhe në Anatoli (Turqi). Vende me të njëjtin emër kemi kudo p.sh.: Nikë – qytet në Azinë e Vogël. Nikë kemi edhe në gjirin e Korinthit. Mundet që këtë emër t’ia kenë vënë romakët, sepse po në këto treva kemi edhe të tjerë emra që romakët i kanë vënë si p.sh.: Palasa e ka marrë emrin nga Pales, që do të thotë perëndi e kullotave, e bagëtive. Piluri – Piles = kësulë, kurorë e malit – simbol lirie.

Ky bregdet ishte gjithmonë i gjallëruar, sepse deti është një “autostradë” e përbotshme që kurrë nuk ka ndryshuar. Mjetet që lundrojnë në të kanë ndryshuar. Në këtë vend gjendej Porti për bregdetin dhe Labërinë, sepse të gjitha fshatrat e Vlorës dhe të Kurveleshit këtu e kishin pikën më të afërt për të komunikuar me botën.

Famën më të madhe Himara e mori kur Turqia do sulmonte Otranton. Në muajin maj të vitit 1481 vdiq sulltan Mehmeti II dhe në Stamboll, mes djemve të tij, filluan grindjet për fronin. Pikërisht këtu shqiptarët dhe himarjotët ngritën krye dhe kërkuan nga Napoli që të vijë i biri i Skënderbeut t’i udhëhiqte, por pësuan disfatë. Historia na thotë se pas disfatës së parë rreth Gjon Kastriotit u mblodhën ushtri shqiptarësh prej gjashtëmijë këmbësorësh e katërqind kalorësish, të cilët korrën një fitore kundër otomanëve në gusht të 1481. Në këto luftime ka marrë pjesë trimi arvanitas me origjinë nga këto anë, Krokodil Kladha. Mos vallë të gjithë këtë ushtri e përbënin dy apo tre fshatra të Himarës që në atë kohë nuk bënin më shumë se tre apo katërqind familje? Kur themi Himara, nënkuptojmë gjithë Labërinë, pasi aty e kishte qendrën, aty kishin kështjellat, aty lidheshin me botën nëpërmes detit. Por këtë radhë, labo-himarjotët me luftën e tyre më shumë ndihmuan për largimin e otomanëve nga Italia sesa veten. Megjithëse Himara dhe Sopoti dhe gjithë këto krahina u çliruan duke zënë rob edhe Sulejman Pashë Evnukun, të cilin Gjon Kastrioti ia dha si plaçkë mbretit të Napolit.

Kjo fitore nuk u mbajt shumë. Më 1482, kryengritja u shtyp sepse mbretëria e Napolit bëri paqe me Portën e Lartë dhe labo-himarjotët ngelën pa aleatë. Por, me gjithë këtë, turqit hasën në rezistencë në regjistrimin e tokave, kështu që në vitin 1492 ushtritë otomane, të komanduara nga Sulltan Bajaziti II u dukën në brigjet e Himarës dhe pushtuan kështjellat e bregdetit. Himarjotët u grumbulluan në viset e brendshme të Labërisë duke marrë me vete gratë dhe fëmijët. Ndërsa disa fshatra bregdetare, fëmijët e gratë i kishin çuar në Korfuz.

Labo-himarjotët pas luftimesh të ashpra u përqendruan në dy maja mali. Njëri grup u detyrua të dorëzohej me një marrëveshje që i linte himarjotët të lirë, por marrëveshja u shkel. Otomanët bënë kërdinë duke u prerë burrave këmbë e duar e duke i hedhur në greminë kurse tetëmijë gra e fëmijë i nisën si skllevër në Vlorë.

Pyetja e një studiuesi mbetet: a mos tre fshatrat e bregut që në atë kohë bënin një popullsi të vogël do të kishin tetëmijë gra e fëmijë dhe të gjithë ata burra që u masakruan?

Në këto rrethana, dimri po afrohej dhe Stambolli nuk donte që të gozhdonte kaq shumë forca me grupin tjetër labo-himarjot, i cili luftonte akoma. Kështu palët bënë një marrëveshje, e cila ishte në favor të himarjotëve: vendasit do të mbanin armët dhe do të udhëhiqeshin në bazë të kanunit të tyre. Ata zotoheshin të mos ngrinin krye dhe si shenjë bindjeje do të paguanin taksat. Kështu himarjotët fituan të drejtën e tyre të autonomisë që e ruajtën qysh në kohën e Sulltan Bajazitit 1492.

Himarjotët me autonominë fituan të drejtën që përveç mbajtjes së armëve dhe zakoneve, të ruanin edhe një fe’ katolike që ushtronte ritin bizantin. Këtë na e tregon Nilo Borgia, në librin “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri”. Në një dokument që i dërgohej Papa Grigorit XIII, bashkë me kërkesën për të mëkëmbur selinë e ipeshkvisë dhe armë për t’u bërë ballë “të pafeve”, thuhej: (citoj) “… Papës kreut të Romës së vjetër, atit të jetimëve dhe ngushëlluesi i të gjithë atyre që kërkojnë ndihmë prej Tij. Për këtë qëllim, pranë Shenjtërisë suaj po vijnë Gjik Nikolla dhe Gjergj Katasi – bashkëqytetarë nga Himara (d.m.th. nga Epiri Shqiptar 12 korrik 1577): priftërinjtë, klerikët, laikët shqiptarë dhe gjithë shteti ynë”.

Në një letër tjetër i kërkohej Papës që të ndërhynte te mbreti Filip i Spanjës në mënyrë që nëpërmjet mbretërisë së Napolit të dërgohej një përforcim prej tre mijë burrash si dhe armë e rezerva ushqimore për dhjetë mijë vetë. Më pas, thoshin ata, ne do të ngremë flamurin e shenjtërisë suaj dhe të mbretit Filip.

“…Nga Himara dhe fshatrat përreth mund të rekrutojmë brenda ditës dhjetë mijë burra dhe brenda javës pesëdhjetë mijë. Vërtetojmë se kjo letër është shkruar e nënshkruar prej dorës së zyrtarit tonë të zonës së Himarës i quajtur Mihal Argjiro dhe është vulosur sipas një mënyre të njohur prej nesh si dhe me miratimin e gjithë pleqësisë së fshatrave të shënuara më poshtë. Në muajin shkurt 1581; krahina dhe ipeshkvia e Himarës: Dukat, Brataj, Kallarat, Tërbaç, Sotir, Palasë, Ngjalë, Dhërmi, Ilias, Vuno, Kudhës, Pilur, Kuç, Progonat, Lops, Kalasë, Nivicë, Piqeras, Bunec, Bubar, Orikum, Bathër, Fterë, Kamenicë, Finiq, Damës, Lekël, Dragot, Karajan, Këndërvicë, Peshtan, Borsh, Qeparo, Shënvasil, Zhulat. Pra janë 35 fshatra që përfaqësojnë Himarën…”

Ja seç na tregon Nilo Borgia te “Murgjit Bazilian..”: “Në Portën e Lartë u bë një kryengritje e jeniçerëve kundër Sulltanit, e cila udhëhiqej nga shqiptari Halil Patrona. Zemërimi i Sulltanit u zbraz kundër gjithë Shqipërisë prej frikës se shqiptarët kanë lidhje me rebelin kryeprerë. Për këtë arsye Bejlerbeu i Rumelisë, Usman Pasha, ju vërsul Shqipërisë. Kur po i afrohej Himarës në shtator 1731, nuk mund të merrej me mend se në çfarë alarmi u vu kjo krahinë. Himarjotët arritën ta përballonin këtë provë të rrezikshme, duke fshehur familjet joluftarake në shpellat më të humbura dhe më të paarritshme të këtyre maleve. Ndërsa fëmijët, dhe orenditë më të vlefshme, i nisën për Korfuz bashkë me misionarët nën mbrojtjen e republikës Venedikase”.

***

I përmenda të gjitha këto fakte për të provuar se përpjekja për të tjetërsuar himarjotët nga fati historik i tokës së tyre është krejt e pabazë.

Nuk i ndalon kush himarjotët të deklarojnë veten si të duan. Njeriu deklaron ashtu siç e ndien veten. Kemi plot njerëz në Shqipëri që e dinë origjinën e tyre të largët, e cila mund të mos jetë shqiptare. Në periudha të ndryshme dhe në kohë të largëta ata janë gjendur këtu si: armen, turq, iranianë, kurdë e megjithatë e ndiejnë veten shqiptarë.

Shumë familje bejlerësh dhe spahish mund të thonë se jemi të ardhur këtu që në kohën e Perandorisë Osmane, por nga këto familje shpesh herë kanë dalë patriotë të mirë, që janë dëshmuar më shqiptarë se shqiptarët.

Gjon Gjika (Jan Kapodistria – 1776-1837) është i biri i Andon Gjikës nga Gjirokastra. Pa hyrë në jetëshkrimin e tij, ai punoi për Greqinë, e ndjeu veten grek dhe arriti të bëhej kryeministri i parë i Greqisë (1827-1831) ndërsa dha jetën në krye të detyrës si kryeministër i atij vendi.

Me këtë dua të them se keqpërdorimi i kriterit gjuhësor si dëshmi e përkatësisë etnike është shtrembërim i së vërtetës historike dhe prishje e themelit të të drejtave themelore.

Në Ohër thotë një hulumtues, vllehët komunikonin në pesë gjuhë sepse ata shumicën e kohës jetonin në malet e Greqisë ku ishin në kontakt me grekët dhe maqedonasit, kurse në Ohër do merreshin vesh me turqit dhe shqiptarët. Po cilën kombësi duhet t’u japim atyre?

Katërmbëdhjetë shtete të Afrikës flasin gjuhën franceze. Pesëmbëdhjetë të tjera flasin anglisht. Do të quajmë afrikanët francezë dhe britanikë, apo francezët dhe britanikët do t’i pengojmë të vetëquhen afrikanë – nëse zgjedhin ta bëjnë këtë?!

Shqiptarët e Himarës greqishten e kanë mësuar falë komunikimit intensiv dhe aleancave fetaro-luftarake me Greqinë dhe veçmas me ishullin e Korfuzit. Atje të rinjtë e tyre shkolloheshin, familjet mbroheshin dhe pasuria e tyre atje arrinte tregjet.

Ja se çfarë shkruan At Skiroi në vitin 1720: “Krahina e Himarës u ndëshkua prej dy fatkeqësive prej murtajës dhe prej sulmit të fuqishëm të turqve, sepse shqiptarët e Rivierës himarjote kishin ndihmuar në ruajtjen e ishullit të Korfuzit duke luftuar në krah të korfiotëve”.

Unë jam i bindur se krahina labe e Himarës ka dhjetëra probleme reale për të adresuar: të hapet rruga për në Kuç e më tej, për në fshatrat e Kurveleshit që dhe ajo zonë të komunikojë me bregdetin; të mendohet për një ujësjellës për nga malet e Labërisë; do të ishte mrekulli të fillohej një lagje e re në Qafë të Lerës në mes të shtëpisë së Jani Çiriçit e kalasë së Ali Pashës deri poshtë në bregdet.

Në këtë qytet të ri e të bukur mund të ndërtohet një përmendore madhështore kushtuar Krokodil Kladhës, këtij luftëtari që luftoi në More, Itali, Venecia, Llogora…

Siç e thotë edhe kënga, Himara mbetet lulja e Vilajetit. Lule Vilajeti pa Vilajet nuk ka. Vilajetin e ka prapa malit.

Top Channel