
Delegacioni i Hamasit dhe ai i SHBA-ve arritën në Kajro për bisedime rreth Gazës. Por përpjekjet e tyre për një pakt të ri paqeje në konfliktin izraelito-palestinez, mbeten në tentativë sepse Izraeli nuk mori pjesë në tryezë.
Ndërkohë një shkollë, e cila ishte nën mbikëqyrjen e OKB-së sulmohet sërish në Gaza, dhe së paku 10 vetë kanë gjetur vdekjen. Ambientet e saj përdoreshin për strehim të palestinezëve.
Izraelitët dhe palestinezët nuk marrin përgjegjësi për shpërthimin e radhës, por ekspertët besojnë se ky ishte veprim i Izraelit në kundërpërgjigje të sulmeve nga ana e Hamasit.
Në lidhje me sulmin e rëndë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon e konsideroi atë si “vepër penale”. Kjo shënon herën e 7-të që një ambient, i cili ishte nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sulmohet.
Por pavarësisht situatës së rëndë në rajon, Kryeministri Benjamin Netanjahu foli me tone të ashpra, dhe premtoi se Hamasi do të paguajë një “çmim të patolerueshëm” për sulmet në Izrael.
Në fjalën e tij u zotua se do të vazhdojë presionin ndaj Hamasit edhe pse ushtria e tij ndodhet shumë afër realizimit të objektivave. Tel Aviv kishte lajmëruar dhe më parë se duhej të ndodhte sa më shpejt shkatërrimi i tuneleve palestineze dhe duket se misioni i tyre ka mbaruar.
Më shumë se 30 tunele dhe dhjetëra boshte aksesi janë zbuluar dhe janë hedhur në erë. Ndërsa ushtari hebre i rrëmbyer nga Hamasi, qe pritej të lirohej duket se ka gjetur vdekjen.
Zyrtare palestinezë konfirmuan se Hadari Goldin humbi jetën gjatë luftimeve dhe nuk është mbajtur në robërim nga ata.
Autoritetet e Gazës deklaruan se 1,740 palestinezë janë vrare dhe 9080 janë plagosur nga fillimi i konfliktit më shumë se tre javë më parë.
Top Channel