Projektet turke për klubin Flamurtari

02/08/2014 00:00

Peripecitë e Flamurtarit me formën e re të privatizimit duket të kenë marrë fund pas një kalvari të gjatë diskutimesh. Vetë përfaqësuesi i kompanive turke TRK dhe AtlesJet, Sinan Idrizi, që do të jetë edhe administrator i projektit “Vlora Sport”, na zbulon një pjesë të ndryshimeve që do të ndodhin tek skuadra vlonjate.

Pavarësisht se ky projekt i kompanive turke lidhet me të gjithë sportin vlonjat, jo vetëm me futbollin, e gjithë vëmendja mbetet pikërisht tek ky i fundit. Dhe kur flitet për një skuadër futbolli dhe ambicie, aq më tepër në një periudhë vere, gjithçka të bën të mendosh për përforcimet e merkatos. Megjithatë, Idrizi e mendon ndryshe këtë çështje: merkato e tyre duket se do të fillojë nga infrastruktura.

“Duam të bëjmë një merkato cilësore, por kushtet tona të infrastrukturës nuk na lejojnë. I thashë presidentit të Petrolulit që i ofroj 30% më shumë pagë lojtarit më të mirë të tyre, por kur vjen në Shqipëri ai sheh se mungojnë kushtet minimale. Klubeve shqiptare u mungojnë edhe dushet”, shpjegon Idrizi.

Ndërkohë, edhe kontratat e reja të Flamurtarit me sa duket do të impenjojnë akoma më tepër lojtarët, pasi do të paguahen në bazë të paraqitjes: “Do të praktikohet një lloj i ri kontrate. Plus pagës së garantuar, do të kenë një kontratë rendimenti. Nëse lojtari jep maksimumin, të ardhurat e tij do të shkojnë deri në 150% më lart.”
 
Idrizi thekson se më në fund lojtarët e superpaguar të futbollit shqiptar do të formalizohen, duke thumbuar në distancë klubet e tjera, ku siç dihet, futbollistët milionat i marin vetëm në të zezë: “Për herë të parë të gjithë lojtarët do të pajisen me karta bankare. Nuk do të ketë më asnjë pagesë në dorë. Do të jetë i pari klub në Shqipëri që do të derdhë në buxhetin e shtetit rreth 400 milionë lekë të vjetra. Futbollistët në Shqipëri janë njerëzit më të paguar, por me kontributin më të pakët.”

Ndërhyrja e parë që kompanitë turke TRK dhe AtlasJet do të bëjnë do të jetë pikërishtë në infrastrukturë, në Pyllin e Sodës, ku sipas Idrizit do të investohen rreth 2.5 milionë euro për fushat stërvitore dhe ambientet e reja të lojtarëve, për t’i lënë më pas rrugën e hapur projektit të stadiumit të ri të Vlorës.

Top Channel