Agjentët doganor të Kosovës nuk mund të veprojnë më në mënyrë të palicencuar sic kanë vepruar deri më tani. Me vendim e ri të Doganave përgjegjësit doganorë, përkatësisht agjentët duhet t’i nënshtrohen disa procedurave ku duhet të mos kenë dosje kriminale, të kenë arsimin e nevojshëm, t’i nënshtrohen trajnimeve që do të organizohen nga dogana dhe të kalojnë provimin profesional.

Ky vendim është marrë nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike dhe EULEX-in dhe  brenda 10 ditëve do të fillojë me zbatimin e një udhëzimi administrativ i cili do t’i përcaktojë të gjitha kushtet dhe kriteret për licencimin e agjencioneve të agjendeve doganor.

“Deri më tani të gjithë agjendat doganore kanë vepruar sipas një udhëzimi të UNMIK-ut, i cili është sjellur në vitin 2000. Një udhëzim i cili nuk ka paraparë asnjë procedurë për t’iu nënshtruar ndonjë trajnimi ose për kalimin e një provimi profesional siç është rregulluar në gjithë botën e zhvilluar, dhe ne tani me këtë udhëzim kemi paraparë të gjitha këto procedura dhe ne të arrijmë tani një standard që iu ofrohet të gjitha vendeve dhe doganave të Bashkimit Europian”, deklaron Lulzim Rafuna Drejtor i Doganave.

Rafuna paralajmëroi se të gjitha bizneset nuk do t’i nënshtrohen gjobave administrative siç ka ndodhur deri më tani, por tani e tutje të gjitha bizneset që janë të interesuara që të kenë agjendë doganore mund të aplikojnë në bazë të udhëzimit administrativ që do të veprojë.

“ Ekonomia është ajo e cila do t’i përshpejtojë këto procese dhe kur bisedohet për integrimin ekonomik internacionalizimit të ndërmarrësisë kosovarë do të jetë një ndër sfidat kryesore. Në këtë drejtim nga vet fakti që në Kosovë i kemi afër 600 shpedicione të ndryshme të cilat punojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në bazë të një udhëzimi administrativ të vitit 2000 besoj që është koha që të jemi më aktiv dhe të bartim përvoja të vendeve të ndryshme. Një udhëzim i tillë administrativ është model në Britaninë e Madhe, është në vendet evropiane po të njëjtën kohë është edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj që do të jetë në funksion të zhvillimit, në funksion të përmirësimit të imazhit dhe mbi të gjitha në funksion të rritjes së kapaciteteve të këtyre agjentëve doganor që mirren me këtë aktivitet”, thotë Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Ky vendim u mirëprit nga pëprfaqësuesit i EULEX-it. Sipas tyre ky ndryshim do të ndihmojë që në Kosovë të ketë njerëz profesionistë që do të merren me doganat.

Top Channel