Di Maria drejt PSG-së, Reali kërkon Falcaon

02/08/2014 00:00

Reali i Madridit dhe PSG kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kalimin e Di Marias tek skuadra kampione franceze.

Sipas “Bein Sports”, një rrjet televiziv i mirëinformuar mbi merkaton e skuadrës së sheikëve, në total i gjithë operacioni do t’i kushtojë PSG-së 80 milion euro dhe janë menduar edhe detajet për shmangjen e telasheve me fair-play financiar.

I njëjti burim thotë se Di Maria do të kalojë në Paris në formë huazimi për 10 milion euro vitin e parë, ndërkohë që në fund të sezonit do të derdhen edhe 70 mln euro të tjera në arkën e Realit.

Nëse do të realizohet ky operacion, Di Maria do të shndërrohej në blerjen më të shtrenjtë në historinë e PSG-së, duke lënë pas atë të Cavanit që u mor verën e kaluar nga Napoli për 64.5 mln euro.

Ndërkohë me paratë e siguruara nga shitja e mundshme e Di Marias, shkruajnë mediat spanjolle, Reali i Florentino Perez do të hidhet në sulm për të siguruar brenda gushtit Radamel Falcao-n.

Për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga dy klubet, as pohim dhe as mohim, megjithatë… ku ka zë, s’është pa gjë.

Top Channel