
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ka gjeneruar 209 mijë vende të reja pune vetëm gjatë Korrikut, duke rritur optimizmin se ekonomia po forcohet ndjeshëm.
Përqindja e papunësisë shënon tashmë 6,2%, sipas të dhënave të fundit të Byrosë së Statistikave të Punësimit.
Rritja më e madhe e punësimit ka qenë në shërbimet profesionale të biznesit si dhe në punët e prodhimtarisë.
Të mërkurën, Departamenti i Tregtisë tha se ekonomia amerikane është rritur me 4% gjatë periudhës Prill-Qershor, një shifër më e lartë nga sa ishte parashikuar.
Edhe numri i njerëzve në tregun amerikan të punës është rritur, një shenjë inkurajuese kjo, që do të thotë se punëtorët të cilët kishin hequr dorë nga kërkimi për një punë tashmë janë rikthyer sërish në tregjet e punësimit.
Të dhënat mbi punët për periudhën Maj-Qershor kanë pësuar gjithashtu rritje, duke treguar se ekonomia amerikane ka ofruar 15 mijë punë të reja.
Disa ekonomistë prisnin në fakt shifra edhe më të mëdha, por, gjithsesi, thonë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me këtë raport.
Top Channel