Kosova do ta kalojë dimrin e këtij viti, duke u përballur me një krizë të rëndë energjitike. Nga fillimi i sezonit dimëror e deri në muajin Mars të vitit 2015, Kosovës i duhen rreth 700 gigavat energji elektrike, të cilat duhet t’i importojë.

E gjithë kjo krizë ka ardhur si pasojë e avarisë, që ndodhi në fillim të muajit Qershor, e që nxori nga prodhimi dy blloqe të Termocentralit “Kosova A”.

Qeveria e Kosovës është alarmuar për krizën energjitike, ndërsa për tejkalimin e saj është ngritur edhe një grup ndërministror, që po harton planin i cili parashikon sigurimin e mjeteve për importin e energjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë për Top Channel se, javën e ardhshme do ta kenë zgjidhjen për sigurimin e energjisë, për sezonin dimëror.

“Nuk kemi pse të hezitojmë, të themi se na nevojitet një import i shtuar i energjisë, sidomos gjatë muajve të dimrit. Në këtë kontekst, kemi bërë takime edhe me donatorët, me institucionet financiare, të cilat ndodhen në Kosovë. Po flasim për mungesë të energjisë deri në Mars, në rreth 700 gigavat orë, që është një sasi e konsiderueshme. Rregullatori duhet ta trajtojë dhe të shohë se çfarë mundësish ka, mbi bazën e rregullave dhe kompetencave që zotëron për sektorin e energjisë elektrike”, tha Fadil Ismajli, ministër.

Ekspertë të ekonomisë në Prishtinë e shohin si zgjidhje shumë afatshkurtër, idenë e Qeverisë së Kosovës për të importuar energji në sezonin dimëror.

Ibrahim Rexhepi, nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale (STRAS), mendon se avaria e ndodhur në Termocentralin “Kosova A” ka treguar edhe njëherë se Kosova ka sistem të paqëndrueshëm energjitik.

“Edhe ndërhyrja tek importi i energjisë elektrike, nuk do të thotë se zgjidh problemin, nuk do të thotë se Kosova po hyn në një stabilitet energjitik. Por, vetëm po investon që të tejkalojë një moment krize në dy-tre muajt e dimrit, kur është konsumi më i madh i energjisë elektrike dhe kur, dukshëm, mungon prodhimi i brendshëm. Problemet do të vazhdojnë, përderisa nuk ka kapacitete të reja energjitike”, tha Ibrahim Rexhepi, STRAS.

Sipas Rexhepit, Kosova duhet të shfrytëzojë edhe shkëmbimet e mundshme energjitike me Shqipërinë, ndërsa si zgjidhje afatgjatë ai mendon se duhet të jetë vetëm ndërtimi i Termocentralit të ri.

Top Channel