
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar gjatë së premtes vrasjen e 2 ushtarëve izraelitë dhe marrjen peng të një tjetri nga militantët palestinezë, si dhe fajësuan Hamasin për shkeljen e armëpushimit 72 orësh në Gaza.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i bëri thirrje Hamasit të lirojë urgjentisht dhe pa kushte ushtarin e zhdukur izraelit. Ai nxiti komunitetin ndërkombëtar të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund sulmeve ndaj Izraelit.
“Kam qenë në kontakte të ngushta me kryeministrin Netanyahu, me koordinatorin special të OKB-së, Robert Serry, si dhe me partnerë të tjerë rajonalë”, tha Kerry në një deklaratë. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të dyfishojë përpjekjet për t’i dhënë sulmeve me raketa dhe përmes tuneleve, nga terroristët e Hamasit drejt Izraelit, si dhe vuajtjeve dhe humbjeve të jetëve të civilëve”.
Duke iu frikësuar përshkallëzimit të dhunës në Gaza, kryediplomati amerikan Kerry bëri thirrje ndaj Turqisë dhe Katarit të ushtrojnë ndikimin e tyre për të siguruar lirimin e ushtarit izraelit, i cili raportohet i marrë peng e që shërbeu si shkak për prishjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Kerry foli me ministrin e Jashtëm të Katarit, Khalid bin Mohammed al Attiyah, si dhe me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, menjëherë pasi një ndihmës e informoi atë me raportimet mbi pengmarrjen, si dhe vrasjen e 2 ushtarëve të tjerë izraelitë, teksa ishte duke u kthyer nga një vizitë në Indi.
“I kemi nxitur ata të përdorin influencën e tyre e të bëjnë gjithçka munden për të bërë të mundur kthimin e ushtarit izraelit”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili udhëtonte së bashku me Kerryn. “Nëse nuk ndërmerret ky hap, rreziku për përshkallëzim të mëtejshëm, për humbjen e të tjera jetëve, është tepër i lartë”.
Identiteti i djalit u bë i ditur nga burime zyrtare, të cilat thanë se emri i tij është Toger Hadari Goldin, 23 vjeç, dhe thuhet se vjen nga një familje hebreje, që jeton në Kembrixh prej disa vitesh.
Izraeli, nga ana tjetër, i dha fund armëpushimit gjatë së premtes, duke shkaktuar më shumë se 50 palestinezë të vrarë dhe 220 të tjerë të plagosur, pas vrasjes së ushtarëve izraelitë dhe pengmarrjes së Goldin.
Armëpushimi 72 orësh ishte njoftuar më herët nga Sekretari Kerry dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve mbi 3-javore.
“Të dhënat e para sugjerojnë se një ushtar është marrë peng nga terroristët, gjatë një incidenti”, tha në një konferencë me reporterët Mark Regev, zëdhënës i Netanyahut, i cili bën përgjegjës Hamasin për sulmin ndaj ushtarëve izraelitë, të cilët ishin duke kontrolluar për zbulimin e një tjetër tuneli, që përdorej për futjen e militantëve të Hamasit në brendësi të kufirit izraelit.
Senati amerikan miraton fondin për Izraelin
225 milionë dollarë për sistemin mbrojtës raketor “Iron Dome”
Senati amerikan ka kaluar në unanimitet legjislacionin që bën të mundur ofrimin e 225 milionë dollarëve fonde emergjente për sistemin e mbrojtjes antiraketore të Izraelit, “Iron Dome”.
Një version paraprak i këtij plani financimi kishte dështuar të enjten, kur republikanët e Senatit kishin bllokuar shpenzime më të mëdha, që kishin synim dhënien e parave për të zgjidhur krizën aktuale të emigracionit në kufirin SHBA-Meksikë.
Por, ligjvënësit arritën marrëveshjen gjatë natës, për të kaluar vendimin mbi financimin e sistemit antiraketor. Për t’u bërë ligj, plani i financimit duhet të kalojë edhe Dhomën e Përfaqësuesve, e më pas të nënshkruhet nga presidenti Barack Obama. Duke ditur përkrahjen e fortë tradicionale të ligjvënësve amerikanë për Izraelin, nuk pritet të hasen pengesa apo rezistencë për kthimin e tij në ligj.
Top Channel