El Shaarawy: Të rikthehemi në Champions

01/08/2014 00:00

Kush do të jetë lojtari kryesor i Milanit të sezonit 2014-2015? Kapiteni Montolivo, administratorët e deleguar Barbara Berlusconi dhe Adriano Galliani si dhe veterani Abbiati janë përgjigjur të gjithë njësoj: “njeriu Milan” i këtij sezoni do të jetë Stephan El Shaarawy.

Duke u nisur nga këto pritshmëri, në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, sulmuesi 21-vjeçar ka deklaruar se nuk e ka frikë presionin.

“Fakti që të gjithë presin shumë nga mua më motivon, nuk më pengon. E di që kanë besim tek mua dhe dua ta shpërblej këtë besim. Unë dua të kthehem një lojtar i rëndësishëm për Milanin dhe kombëtaren italiane”, tha El Shaarawy.

Sulmuesi theksoi se falë entuziazmit të trajnerit Filippo Inzaghi, Milani do të zhvillojë një sezon shumë të mirë dhe sipas tij, objektivi është vendi i tretë.

“E di që tifozët janë të zhgënjyer, por i siguroj që e kemi në kokë idenë e lojës dhe do të bëjmë mirë. Objektivi nuk mund të jetë tjetër veçse të rikthehemi në Champions League, pra një nga tre vendet e para”, deklaroi Stephan El Shaarawy.

Top Channel