Izraeli i vendosur për luftë

31/07/2014 00:00

Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi se ushtria e tij nuk do ta ndalë operacionin në Gaza derisa të shkatërrojë gjithë tunelet të cilët përdoren nga palestinezët për të depërtuar në Izrael.

Në fjalimin e tij, Netanjahu theksoi se është i vendosur t’i shkojë sulmeve deri në fund edhe pse parimisht nuk e kundërshtoi armpushimin ai tha se pas cdo armpushimi, pritet të vijnë luftime të reja.

Më herët Izraeli e mobilizoi trupën e tij ushtarake duke e çuar në 86.000 numrin e ushtarëve të angazhuar nga shteti hebre. Për zyrtarët izraelitë ky mobilizim i jep ushtrisë “hapësirë për frymëmarrje” dhe më shumë siguri për finalizimin me sukses të objektivave të tyre.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikes kanë deklaruar se sulmi i izraelitëve në shkollën që drejtohej nga OKB ishte totalisht i papranueshëm. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, në një deklaratë për shtyp tha se Izraeli duhet të tregohet i përgjegjshëm për mbrojtjen e jetës së civilëve.

Duke iu referuar sulmit të së mërkurës, ku gjetën vdekjen 16 vetë, Josh Earnest shtoi se gjithë faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për konfliktin.

Por zëdhënësi i qeverisë izraelite, Mark Regev i tha BBC-së së vendi i tij do të kërkojë publikisht falje nëse zbulohet se ishte zjarri izraelit përgjegjës për shkatërrimin e shkollës së OKB-së e cila u sulmua ditën e mërkurë dhe qindra të pafajshëm humbën jetën.

OKB ka dënuar ashpër dhunën e vazhdueshme, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të bien dakord për pushimin e luftës. Sipas raporteve zyrtare të OKB-së, rreth një e katërta e popullsisë së Gazës janë zhvendosur nga luftimet.

Vazhdimisht ata shprehen se njerëzit në zonën e konfliktit janë përpara një humnere. Qëkur Izraeli dhe Hamasi filluan përplasjen në Gaza më 8 korrik,  1400 palestinezë janë vrarë, shumica prej tyre civilë.

Top Channel