“Gjëja më e bukur e Shqipërisë janë shqiptarët”

31/07/2014 00:00

Gjëja më e bukur e Shqipërisë janë shqiptarët. Nëse dëshironi që vërtet të njiheni me vendin e shqiponjave, përzihuni mes tyre.

Me këto fjalë nis një artikull i gjatë kushtuar turizmit, Shqipërisë dhe shqiptarëve në gazetën prestigjoze italiane “La Repubblica”.

Në shkrimin e Claudio Visani-t këshillohet të shmangen udhëtimet e organizuara, të udhëtohet rastësisht, vizita pa plan, të zbulohen në këmbë lagjet e shumë të pëlqyerës Tiranë, apo perlat e Jonit ende të pazbuluara mirë nga pushuesit mes Vlorës dhe Sarandës.

Shqipëria ka çfarë ofron, thuhet në artikull, që nga plazhet, kultura, kuzhina e deri tek zonat arkeologjike e mbi të gjitha mikpritja.

“Që të shijoni Shqipërinë lëreni veten në krahët e mikpritjes së atij populli, gëzoni mirësjelljen që do t’u shoqërojë në rrugë, në çdo hotel, kafe apo restorant dhe njihuni me tregimet e të moshuarve mbi tragjeditë e së shkuarës komuniste dhe njohuni me ëndrrën dhe dëshirën e të rinjve për të ndryshuar për mirë vendin e tyre”, thuhet më tej.

Në shkrim këshillohet të vizitohet Tiranë dhe jeta e vrullshme në të, Shkodra e Kruja për historinë e tyre, qyteti i 1000 dritareve Berati si pasuri e UNESCO-s, por edhe si shembull tipik i bashkëjetesës shekullore mes besimeve të ndryshme, po ashtu edhe Gjirokastra, vendlindja e Kadaresë e deri tek Butrinti ku në një vend të vetëm janë ngurtësuar qindra shekuj histori e ndërthurur kultura, duke nisur që nga ajo ilire, greke e romake.

Top Channel