
Bisedimet mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për sanksione me të forta ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainën po ecin në drejtimin e duhur.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kryeministrit britanik David Cameron, sipas të cilës palët kanë në fokus arritjen e një marrëveshjeje që sanksionet të aplikohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Zëdhënësja e Cameron deklaroi se BE po shqyrton sanksione në fushën e financave, mbrojtjes dhe sektorit teknologjik të energjitikës.
Ajo shtoi se sanksionet në sektorin financiar “mund të shkaktojnë pak dhimbje në Mbretërinë e Bashkuar” nëse aplikohen.
Ambasadorët e vendeve anëtare do të takohen në Bruksel ditën e hënë dhe çdo sanksion do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve pasi të jetë arritur marrëveshja.
Rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainës më herët gjatë muajit, për shkak të një rakete të qëlluar nga rebelët pro-rusë, bashkoi thirrjet për sanksione më të ashpra.
Rusia ka mohuar çdo dyshim të ngritur nga Ukraina dhe liderët perëndimorë se ka furnizuar me armatime të rënda rebelët dhe po ashtu këta të fundit mohojnë akuzat, duke ia atribuar ato forcave ukrainase.
Në fundjavë, BE shtoi 15 sanksione individuale dhe 18 institucionale në listën e masave kundër separatistëve pro-rusë që kanë ngritur krye në lindje të Ukrainës.
Mes subjekteve të këtyre masave ndëshkuese përfshiheshin edhe Shërbimi Federal i Sigurisë, FSB, shefat e shërbimeve të inteligjencës për jashtë dhe presidenti i Çeçenisë.
Numri i subjekteve ruse që BE u ka ngrirë asetet dhe u ndalon udhëtimin në vendet anëtare ka arritur në 87. Gjithashtu, dy kompani energjitike nga Krimea u përfshinë në listë së fundmi bashkë me 18 institucione të tjera.
Top Channel