Anglia përmbytet nga shirat

28/07/2014 00:00

Shtëpitë janë evakuuar dhe njerëzit kanë lënë makinat e tyre në rrugët e mbuluara nga uji, pasi shirat e dendura dhe përmbytjet kanë përfshirë jug-lindjen e Anglisë.

Sipas raportimeve të BBC, moti i çmendur ka bllokuar rrugët dhe ka bërë që të pezullohen shërbimet hekurudhore në disa zona të Suseksit, Eseksit dhe Londrës.

Më shumë se mesatarja e shirave që bien në Angli në muajin korrik ranë në një orë të vetme në disa zona të vendit, njoftuan autoritetet meteorologjike.

Skuadrat e shpëtimit në Londër deklaruan se shpëtuan shumë njerëz të mbetur të bllokuar në makinat e tyre në rrugët e kryeqytetit.

Ndërsa sa i takon rrjetit hekurudhor, shumë shërbime po kthehen drejt normalitetit pas vonesave dhe anulimeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe një defekt elektrik.

Ndërkohë, disa linja të metrove në disa zona të kryeqytetit vazhdojnë të jenë të bllokuara, për shkak të përmbytjeve të stacioneve.

Linja Metropolitane e Londrës është çoroditur tërësisht për shkak të vonesave. Edhe fluturimet në ardhje dhe në ikje nga aeroporti Gatwick u vonuan për shkak të motit.

Qyteti Grejt Danmou në Eseks u përmbyt me 43 milimetra shi brenda një ore, ndërsa banorët në Isfilld të Suseksit u prekën nga 37 milimetra shi në të njëjtën periudhë kohore.

Ndërkohë, një rrugë në fshatin Thekstid u ça duke formuar një gropë, ndërsa shumë shtëpi u përfshinë nga uji. Pesë banorë të fshatit u evakuuan në një vend të sigurtë pas ndërhyrjes së skuadrave të shpëtimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB