Lideri çeçen, sanksione ndaj Obamës dhe BE

27/07/2014 00:00

Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë i mbështetur edhe nga Kremlini, bëri të ditur gjatë së shtunës se do t’i vinte sanksione presidentit amerikan Barack Obama dhe zyrtarëve më të lartë të BE-së, duke u ndaluar atyre fluturimet dhe duke u ngrirë asetet bankare (nëse kanë) për shkak se kanë shkaktuar një “tragjedi” në Ukrainë, si një sfidë ndaj tyre pasi është goditur edhe vet nga sanksionet.

Pas vendosjes së sanksioneve të reja të Bashkimit Europian për situatën në Ukrainë, të cilat për herë të parë përfshinë edhe liderin çeçen, Kadyrov ripërsëriti deklaratat e Rusisë se Uashingtoni dhe Brukseli janë përgjegjës për futjen e Ukrainës në një situatë kaotike.

“E gjithë bota është dëshmitare e tragjedive në Libi, Siri, Irak dhe Afganistan. Ndërkohë që së fundi tragjedia ka goditur edhe Ukrainën”, tha Kadyrov në një deklaratë të tij në Instagram.

“Nën pretekstin e eksportimit të demokracisë po vriten civilë në këto vende dhe qytete, ndërsa lidhjet fetare po shkatërrohen. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbajën përgjegjësi të drejtpërdrejtë për gjithçka po ndodh në botë”.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë përshkallëzuar sanksionet ndaj zyrtarëve pranë Putinit dhe akuzojnë Rusinë se po mbështet rebelët në luftimin ndaj trupave ushtarakë ukrainas, në Lindje të Ukrainës.

Moska ka mohuar të ketë furnizuar me armë rebelët dhe thotë se Perëndimi është fajtor për inkurajimin e presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, për të vazhduar më tej me fushatën ushtarake kundër rebelëve në Lindjen rusisht-folëse.

Kadyrov tha gjithashtu se si Obama, edhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, si dhe kreu i Këshillit të Europës, Herman van Rompuy, e kanë të ndaluar të udhëtojnë drejt Çeçenisë, duke nisur nga e diela.

Top Channel