
Të paktën 36 viktima janë shënuar nga përplasjet mes trupave qeveritare të Libisë dhe militantëve islamikë në qytetin e Bengazit, gjatë së dielës. Ngjarja ndodhi pas sulmit të militantëve ndaj ushtarëve në qendër të qytetit.
Luftimet e ashpra pranë aeroportit të Tripolit lanë 23 persona të tjerë të vdekur, siç bëhet e ditur nga raportimet, teksa milicitë kontrollojnë një pjesë të madhe të vendit dhe janë përgjegjës për dhunën më të ashpër që ka përfshirë Libinë, që prej trazirave të vitit 2011, kur u rrëzua kolonel Muammar Gaddafi nga pushteti.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë këshilluar shtetasit e tyre që të mos udhëtojnë drejt Libisë. Të shtunën, SHBA evakuuan ambasadën e tyre në kryeqytetin Tripoli, duke cituar “rrezikun real” të shfaqur nga luftimet.
Edhe Turqia ka tërhequr stafin me rreth 700 anëtarë nga Libia. Më herët, gjatë kësaj jave, OKB njoftoi se do të tërhiqte të gjithë stafin e saj nga Libia.
Duke mos pasur ushtri, qeveria qendrore e Libisë kanë humbur vazhdimisht kontrollin e vendit, përkundrejt milicive të armatosura dhe mashtruese gjatë dy viteve të fundit. Ambasadori amerikan Christopher Stevens dhe 3 amerikanë të tjerë u vranë, pas një sulmi ndaj konsullatës amerikane në Bengazi, Shtatorin e vitit 2012.
Top Channel