Rusia kundër McDonald’s

26/07/2014 00:00

Agjencia ruse e mbrojtjes së konsumatorit paraqiti në një gjykatë të Moskës një aktpadi kundër McDonald’s, duke kërkuar ndalimin e shitjes së hamburgerëve të tij, produktit milk shake dhe akulloreve.

Sipas një dege rajonale të organizmit në fjalë, gjykata duhet ta shpallë të paligjshëm prodhimin dhe tregtimin e këtyre produkteve për shkak të atyre që i quan “parametra të papërshtatshëm fiziko-kimikë”.

Lista e ushqimeve të kontestuara përfshin cheeseburger-in e famshëm Royal të rrjetit amerikan të ushqimit të shpejtë, filet-o-fish, cheeseburger-in e thjeshtë dhe chicken burger-in, duke nxjerrë si të përshtatshëm vetëm Big Mac burger-in.

McDonald’s vetë tha se nuk ka marrë ndonjë ankesë prej agjencisë ruse dhe se nuk ka asnjë informacin mbi procesin e ngritur kundër tij, ndërsa këmbëngul se ushqimet që prodhon janë në përputhje me metodat e standardet e miratuara nga autoritetet vendase.

Zhurma e bërë në media nuk i ka dekurajuar konsumatorët e këtij rrjeti fast food-i në Moskë, të cilët vazhdojnë të shijojnë hamburgerët e McDonal’s, të pandikuar nga njoftimet e mungesës së sigurisë së tyre.

“Unë them se vendimi është marrë për arsye politike. Një ditë thonë ‘s’na pëlqen vera moldave’, e pastaj papritur ndalohet importi i verës nga Gjeorgjia. Edhe fushata që po bëhet me McDonald’s është pak a shumë diçka e ngjashme”, thotë Nikita Petrov, banor i Moskës.

“Çdokush e vendos vetë se çfarë të konsumojë ose jo. Të gjithë e dinë se në thelb ushqimi i fast food-it nuk është i mirë, por sërish e pëlqejnë”, thotë Irina, një tjetër banore e kryeqytetit rus.

Procesi gjyqësor vjen vetëm tre muaj pasi rrjeti i ushqimit të shpejtë mbylli restorantet e tij në Krimenë e aneksuar nga Moska në muajin mars. Atëherë, disa politikanë rusë dolën me pretendimet që të urdhërohej mbyllja e çdo fast food-i të McDonald’s në Rusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA