
Shteti amerikan i Arizonës ka ndërprerë ekzekutimet e dënimeve me vdekje, pas incidentit të ndodhur dy ditë më parë me një të dënuar të cilit iu aplikua një injeksion.
Autoritetet deklarojnë se Joseph Wood gulçoi pasi përzierja e ilaçeve iu administrua dhe iu deshën të paktën dy orë për të vdekur.
Ekzekutimi i tij erdhi kur shtetet amerikane që zbatojnë dënimin me vdekje kanë pasur probleme në marrjen e ilaçeve që përdoren për dënimin kapital, për shkak të embargos së vendosur nga vendet evropiane.
Mëngjesin pas ekzekutimit, avokati i Wood, Dale Baich kërkoi një hetim të pavarur mbi vdekjen e klientit të tij. “Ai gulçoi dhe u përpoq të merrte frymë për rreth një orë dhe 40 minuta”, deklaroi Baich, i cili kërkoi të ndalte ekzekutimin kur kuptoi se klienti i tij ishte ende gjallë, por pa ia arritur qëllimit.
Ekzekutimi duhet të kishte marrë 10 minuta, vijoi avokati, por Wood, 55 vjeç, vuajti për rreth dy orë. Në javët përpara ekzekutimit, avokatët e të dënuarit ishin përpjekur të ndalonin dënimin me vdekje për shkak të ilaçeve që do të përdoreshin.
Ata verifikuan identitetin e prodhuesit dhe kualifikimet e ekzekutuesve. Por së fundmi, Gjykata e Lartë lejoi shtetin për të vijuar me zbatimin e dënimit.
“Shteti i Arizonës luftoi sy më sy e dhëmb për dhëmbë për të ruajtur sekretin e ilaçeve të injeksionit dhe personelin që kreu ekzekutimin”, denoncoi avokati Baich.
Në një deklaratë ku njoftonte moratoriumin e përkohshëm mbi ekzekutimet, drejtori i Departamentit të Burgjeve të Arizonës, Charles Ryan mbrojti ekzekutimin dhe kritikoi mediat që e përshkruan atë si “një punë të dobët dhe të gabuar”.
Top Channel