
Shimon Peres u largua nga posti i presidentit të Izraelit, me parashikimet për paqe dhe një të ardhme të shkëlqyer të shtetit hebre.
90-vjeçari, një nga zërat më të fuqishëm të pajtimit dhe bashkëpunimit me fqinjët e vendit të tij, u shpreh se arabët dhe populli i Gazës nuk janë armiqtë e Izraelit, ndërsa dënoi nga ana tjetër Hamasin, për vendosjen e qindra-mijëra banorëve të këtij territori në vijën e parë të luftimeve, ndërsa fëmijët i kthen në mburoja njerëzore.
“Izraeli do ta mposhtë terrorin, sepse është mbështetës i paqes e me të drejtë mbron veten. Dua ta shoh të kthehet në një komb të moralshëm, një komb që praktikon barazinë për të gjithë shtetasit e tij, hebrenj, muslimanë, të krishterë e beduinë. Sidomos sot, në këto ditë të vështira, kur sytë e të gjithëve janë drejtuar te liderët e tij, atij i nevojitet uniteti më shumë se kurrë”, tha Shimon Peres, president në largim i Izraelit.
Fituesi i Nobelit të Paqes në 2007-n shtoi se e ardhmja e Izraelit si shtet demokratik varet nga një zgjidhje me dy shtete e konfliktit, që bazohet te paqja.
Vendin e Peresit, tani do ta zërë parlamentari i krahut të djathtë, Reuven Rivlin, i cili është kundërshtar i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit me palestinezët, edhe pse ashtu si paraardhësi ndan bindjen se armiku i Izraelit është terrorizmi e jo populli palestinez.
Top Channel