Ukraina, drejt zgjedhjeve parlamentare

24/07/2014 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko mirëpriti largimin e dy partive nga koalicioni qeveritar gjatë së enjtes, gjë që i hap kështu rrugën liderit të shtetit të thërrasë zgjedhjet e reja dhe t’u japë ukrainasve “një formatim të plotë” të pushtetit.

Dy partitë ukrainase thanë se kanë lënë koalicionin e mazhorancës në Parlament, për të lejuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe për të pastruar ata që një politikan i quajti “agjentë moskovitë” nga dhoma e Parlamentit.

Politikanët dhe aktivistët janë ankuar se, tashmë që Ukraina e ka një president të ri, pse të mos zgjidhej edhe një legjislaturë e re, e cila rezulton që pas shkarkimin të liderit pro-rus Viktor Yanukovych, në Shkurt, duke akuzuar madje mbështetësit e tij se po pengojnë punën e liderit të ri.

“Shoqëria kërkon në formatim të plotë të autoriteteve shtetërore”, tha Poroshenko në një deklaratë, duke shtuar se lëvizja tregon se ata që vendosën të largohen nga koalicioni po respektonin dëshirën e popullit.

Oleh Tyahnybok, lider i partisë nacionaliste, “Svoboda”, tha në Parlament: “Besojmë se në situatën aktuale, një Parlament i tillë që mbron kriminelët e shtetit, agjentët e Moskës, e që refuzon t’u heqë imunitetin atyre njerëzve që po punojnë vetëm në favor të Kremlinit, nuk duhet të ekzistojnë më”.

Edhe partia “Udar” (Grushti) e drejtuar nga ish-kampioni i boksit Vitaly Klitschko, njoftoi largimin nga koalicioni, i cili përbëhej nga partia “Batkivshchyna”, “Svoboda”, “Udar” dhe deputetë pa parti.

Sipas Kushtetutës ukrainase, Parlamenti ka 30 ditë kohë për t’u përpjekur të formojë një koalicion të ri. Nëse nuk ia del, presidenti shpërndan më pas Parlamentin dhe thërret mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ukrainë, dorëhiqet kryeministri
Yatseniuk kundër zgjedhjeve: Po pengohet puna e qeverisë

Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj vendimit të mëhershëm për të shpërndarë parlamentin, të cilin e quajti një vendim për “bllokimin e iniciativave të qeverisë”.

Nuk dihet ende nëse dorëheqja do të pranohet nga presidenti Petro Poroshenko, por nëse jo ekziston mundësia që zoti Yatsenyuk të vazhdojë detyrën e tij deri në caktimin e një kabineti të ri brenda 60 ditëve.

Ndërkohë, në lindje të Ukrainës, lideri politik i rebelëve në zonën e Donetskut ka pranuar se ka marrë mbështetje nga “gjithë populli rus” në luftën kundër qeverisë së Kievit.

Megjithatë, në një intervistë për BBC, Alexander Borodai, i cili është rus, mohoi të jetë një anëtar i shërbimeve ruse të sigurisë.

Ndërsa një komandant tjetër i rebelëve, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, tha se ishte në dijeni që një batalion në qytetin e Luhanskut ishte në zotërim të një raketahedhësi Buk, në momentin e rrëzimit të avionit MH17.

“Po, e di. E kam marrë vesh për atë. Më duket se rebelët lokalë e kthyen mbrapshtë, me siguri për të eleminuar provat për praninë e tij”, deklaroi Alexander Khodakovsky.

Ndërkohë, CNN ka njoftuar se një nga gazetarët e saj ukrainas, Anton Skiba, është rrëmbyer nga separatistët e armatosur pro-rusë në bastionin e tyre në Donetsk, ditën e martë.

Rrjeti informativ amerikan ka bërë me dije se përpjekjet për të arritur lirimin e gazetarit Skiba kanë dështuar dhe për këtë arsye ka bërë një apel publik për lirimin e tij. 

Top Channel