Tajvan, shkon në 48 numri i viktimave të avionit

24/07/2014 00:00

Bilanci i vdekjeve nga rrëzimi i avionit tajvanez, një ditë më parë, ka mbërritur në 48. Në bord ndodheshin gjithsej 58 persona, 10 nga të cilët kanë mbetur të plagosur.

Në mesin e të vdekurve janë edhe dy shtetas francezë. Besohet se asnjë anëtar i ekuipazhit nuk i mbijetoi rënies së avionit mbi ndërtesat në tokë, pas një përpjekjeje të dështuar për zbritje në Aeroportin e Magongut, pasojë sipas gjasave e kushteve tepër të këqija atmosferike në zonë.

Fluturimi i linjës ajrore të brendshme “TransAsia Airways” u rrëzua në afërsi të aeroportit të Magongut, në ishullin Penghu. Autoritetet lokale të aviacionit, të cituara nga media tajvaneze, deklaruan se avioni u tërhoq nga manovra fillestare e uljes në pistë dhe më pas u përplas në tokë.

Më herët gjatë së mërkurës, Tajvani u përfshi nga erëra të forta dhe shira të shkaktuara nga stuhija tropikale Matmo. Tajfuni Matmo kishte shkaktuar gjithashtu anulimin e shumë fluturimeve, por situata u zhbllokua rreth orës 17:30 me orën lokale, thuajse në të njëjtën kohë që avioni u nis.

Top Channel