Separatistët pro-rusë: S’kemi të tilla raketa

24/07/2014 00:00

Që në momentin e përvijimit të skenarëve të para të rrëzimit të MH17-s mbi Ukrainën lindore, u hodh në mënyrë të pashmangshme dhe pyetja: Si mund të kishin rebelët pro-rusë një raketë aq të fuqishme sa të godiste një avion në 10,000 metra lartësi?

Përgjigjia u gjet te ndihma e Rusisë, që i ka furnizuar separatistët në rajonet e trazuara të vendit fqinj me armë nga më të ndryshmet. Por, Alexander Borodai, kryeministër i Republikës së Vetëshpallur të Donjeckut, i tha BBC-së se forcat e tij nuk e zotërojnë raketën e tipit Buk, që rrëzoi avionin malajzian me 298 persona në bord. Çdo provë që dëshmon të kundërtën, sipas tij, është e “rreme”.

“Jo, ne nuk kemi asnjë Buk. Nuk ka raketa Buk në këtë zone”, tha Alexander Borodai, kryeministër i Republikës së Donjeckut.

Në bisedën me gazetarin e BBC-së, lideri separatist e mohoi fillimisht ekzistencën e fotove, që tregonin një platformë lëshimi të raketave të tilla tokë-ajër në qytetin fqinj të Snezhoe-t, ndërsa më pas tha se ato ishin të trukuara.

Rebelët janë kritikuar për mungesën e kujdesit ndaj trupave të pajetë dhe mbetjeve të avionit të rënë në zonën që ata kontrollojnë, e në mediat e huaja u fol dhe për manipulim provash. Por, Borodai pretendon se vëzhguesit e OSBE-së u kishin thënë të mos i lëviznin kufomat, sepse me to do të merreshin ekspertët.

“Pritëm një ditë. Pritëm ditën e dytë, të tretën; asgjë, as edhe një ekspert i vetëm. Që t’i linim trupat atje më gjatë, në temperatura 30 gradë, ishte absurde. Është thjesht çnjerëzore. Skenë e denjë për një film horror”, tha Borodai.

Zëdhënësi i OSBE-së, Michael Bociurkiw, mohon t’u jetë thënë separatistëve të mos zhvendosin trupat. Nuk është në kompetencën tonë t’iu tregojmë njerëzve çfarë të bëjnë, është shprehur ai. Jemi këtu për të monitoruar e për të raportuar, kjo është e gjitha.

Holanda, vendi nga ishin shumica e viktimave të fatkeqësisë, priti dje trupat  e parë dhe një avion i dytë me të tjerë trupa duhet të mbërrijë sot. Avionët holandezë dhe australianë u ulën në bazën ajrore të Eindhoven-it, ku figurat më të larta të vendit ishin mbledhur në pistë.

Qytetarët kishin sjellë lule për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimin e tyre, ndërsa flamujt ishin në gjysmështizë. Trupat e viktimave të fatkeqësisë do të dërgohen pranë qytetit Hilversum, për të filluar procesin e identifikimit dhe analizave përkatëse, i cili sipas kryeministrit Mark Rutte mund të kërkojë disa javë kohë.

Top Channel