
Polonia shkeli Konventën evropiane të të drejtave të njeriut pasi ndihmoi CIA-n në torturimin e të dyshuarve për terrorizëm, vendosi të enjten Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtarët deklaruan se Polonia bashkëpunoi për transfertat ilegale të të burgosurve në vitet 2002-2003, duke lejuar që të dyshuarit të merreshin në pyetje në territorin e saj.
Ky është rasti i parë i lidhur me burgjet sekrete të CIA-s në Poloni.
Autoritetet polake e cilësuan vendimin si “të turpshëm për vendin e tyre”, por gjithashtu të “parakohshëm” sepse hetimi i Polonisë mbi dyshimet për burgjet sekrete është ende në vazhdim.
Gjykata vendosi se trajtimi i të dyshuarve për terrorizëm që janë marrë në pyetje në territorin polak ka kaluar në torturë.
Trupa gjyqësore përmendi rastet e Abu Zubaydah, një palestinez i arrestuar në Pakistan dhe Abd al Rahim al Nashiri, një saudit i arrestuar në Dubai.
Dy personat në fjalë, që dyshoheshin si anëtarë të Al Kaedës, aktualisht ndodhen të burgosur në qendrën e Guantanamos në Kubë.
Ata i ishin ankuar gjykatës se ishin torturuar në një burg të menaxhuar nga amerikanët në Poloni, në afërsi të fshatit Stare Kiejkuti, ku Nashiri ishte mbajtur për 6 muaj dhe Abu Zubaydah për nëntë.
Gjykata evropiane, në një komunikatë për shtyp të publikuar lidhur me këtë çështje, deklaroi se shteti polak duhet të mbahet përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut në territorin e tij.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se, shteti polak ka qenë në dijeni të transferimit të të dyshuarve, në ardhje dhe në ikje nga territori i tij.
Top Channel