
Atentatorë vetëvrasës sulmuan një autokolonë makinash me të burgosur në Irak, duke vrarë 51 prej tyre e 9 gardianë.
Në sulmin e mirëorganizuar, agresorët kishin vendosur edhe bomba në rrugë, të cilat shpërthyen në kohën kur po kalonin automjetet me të dënuarit, që po dërgoheshin nga qyteti i Taji-t për në Bagdad.
Nuk është ende e qartë se kush qëndron pas këtij episodi, apo sa ishin humbjet në radhët e sulmuesve. Ka kaluar thuajse një vit, që nga dita kur persona të armatosur mësynë burgjet e Taxhit dhe Abu Graibit, e liruan me qindra të burgosur.
Ngjarja vjen në kohën kur, i dërguari i OKB-së në Irak paralajmëroi se grupi ekstremist i ISIS-it kontrollon rreth një të tretën e vendit dhe se aftësitë e tyre ushtarake janë rritur ndjeshëm.
Nickolay Mladenov i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se lëvizja islamike është fuqizuar ndjeshëm nga një pjesëz e vogël e al-Qaedës, në një organizatë që përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë në Irak, në rajon e përtej tij.
“Ky grup rekruton dhe përdor luftëtarë të huaj, është angazhuar në vrasje, rrëmbime, shkelje madhore të të drejtave të njeriut, të gjitha këto janë arsyet përse komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë me vendosmëri, që grupi ISIL t’i ndalë veprimet luftarake dhe krimet”, – tha Mladenov.
Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit po tenton krijimin e një kalifati në disa pjesë të Irakut dhe Sirisë. Të shtunën, grupi deklaroi se të krishterët dhe njerëz të besimeve të tjera, jo-myslimanë, nën kontrollin e tij, duhet të konvertohen në fenë islame, të paguajnë një taksë të madhe, të largohen, ose përndryshe do të ekzekutohen.
Top Channel