Hamasi, armëpushim me kushte

24/07/2014 00:00

Hamasi e lidh armëpushimin në Gaza me lehtësimin e bllokadës izraelite, që ka paralizuar ekonominë dhe lëvizjen e lirë, në të kundërt nuk do të ketë fund të konfliktit.

Udhëheqësi i lëvizjes islamike, që kontrollon këtë territor, Khaled Meshaal, e bëri të qartë se ideja e pushimzjarrit do të vazhdojë të refuzohet nga Hamasi, për sa kohë nuk plotësohen kushtet e tij.

“Nuk do të pranojmë asnjë iniciativë, që nuk çon drejt heqjes së bllokadës ndaj popullit tonë e nuk respekton sakrificat e tij. Grupi ynë, megjithatë, nuk do t’ia mbyllë derën një armëpushimi humanitar. Na nevojiten disa orë qetësi për të evakuuar të plagosurit e për të asistuar në përpjekjet e ndihmës”, tha Khaled Meshaal, lider i Hamasit.

Sulmet ajrore të Izraelit dhe operacionet tokësore në Gaza vazhdojnë me të njëjtin intenstitet, ashtu si dhe lëshimi i raketave të Hamasit në drejtim të shtetit hebre. Bilanci i vdekjeve është rritur sërish, duke mbërritur tani në 710 jetë të humbura në radhët  e palestinezëve e 35 në ato të izraelitëve, ku vetëm tre nga viktimat janë civilë.

Shefja e OKB-së për të drejtat humanitare, Valerie Amos, e përshkroi situatën e banorëve të Gazës si “tmerruese”. “120,000 vetë kanë kërkuar strehë në shkollat e OKB-së, – tha ajo. – Njerëzit kanë mbetur pa ushqime e shqetësim të madh përbën sidomos mungesa e ujit të pijshëm”.

Bllokada e Izraelit në Rripin e Gazës u vendos në 2006-n pas rrëmbimit të ushtarit izraelit Gilad Shalit nga militantët e Hamasit. Masat u ashpërsuan edhe më shumë nga shteti hebre dhe Egjipti në 2007-n, kur Hamasi përmbysin fraksionin rival Fatah dhe mori me forcë kontrollin e territorit, ku një vit më parë kishte fituar zgjedhjet.

Top Channel