Gjykata Kushtetuese e Kosovës shumë shpejt mund të ballafaqohet me një kërkesë të re për interpretimin e aktit më të lartë juridik, Kushtetutës së Kosovës.

Këtë herë, shkelëse e Kushtetutës pretendohet se është presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka vendosur të presë vendimin e Gjykatës Kushtetutese në ankesën e PDK-së, e pastaj të propozojë të mandatuarin e qeverisë. Një veprim i tillë është i papranueshëm për subjektet e bllokut LDK-AAK-Nisma.

Pas një takimi të përbashkët me kryeparlamentarin e sapozgjedhur, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kërkuan nga presidentja, që të procedojë me krijimin e qeverisë, në të kundërtën, nëse shkelen afatet kushtetutese, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Është më se e mundshme, që ne t’i drejtohemi Kushtetueses, nëse presidentja ka vepruar drejt që nuk e ka ushtruar të drejtën e vet të kandidojë atë që, në bazë të gjykatës, i është dhënë mundësia për t’u nominuar, pra meqenëse është kryer seanca. Presidentja po rrezikon të bëjë edhe ajo tashmë një shkelje të Kushtetutës së vendit”, ka thënë Ramush Haradinaj, lider i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ne shfrytëzojmë rastin të ftojmë presidentin të ushtrojë të drejtën e saj dhe obligimin kushtetues për të filluar mandatimin e qeverisë. Presim që presidentja të thërrasë të mandatuarin, në bazë të vendimit të Kushtetueses, dhe të fillojë konkretisht të veprojë në drejtim të implementimit të detyrimeve kushtetuese mbi ndërtimin e institucioneve”, deklaroi Fatmir Limaj, kreu i “Nisma Për Kosovën”.

Pjesë e këtij takimi nuk ishin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Liderët e bllokut janë të bindur se do të ketë marrëveshje edhe me këtë subjekt politik, duke paralajmëruar takime brenda një afati të shkurtër kohor.

Një çështje tjetër, mbi të cilën po punojnë deputetët e koalicionit paszgjedhor, është përgatitja e përgjigjeve për Gjykatën Kushtetutese në ankesën e PDK-së, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se deputetët, në mënyrë të koordinuar, po përgatisin komentet e tyre si kundërpërgjigje e konstatimeve të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Kemi mjaft argumente që të konstestohet secila nga çështjet e ngritura nga ana e PDK-së”, tha Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës. Sa i përket Vetëvendosjes, “ne jemi në diskutime, por nuk kemi ende asnjë vendim në lidhje me këtë çështje, shpresoj që gjatë ditës të merremi vesh”, komentoi Osmani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 4 Gusht, që t’i përgjigjen Gjykatës Kushtetuese.

Reagon presidentja Jahjaga
“Kryeministri do të mandatohet në respekt të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatës”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zyrës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për kërcënimet e liderëve të bllokut, se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në një përgjigje dhënë Top Channel, zyra e presidentes Jahjaga thekson se “kandidati për kryeministër do të nominohet në respektim të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) dhe nenit 95, si dhe në pajtim me procedurat dhe afatet e parashikuara me Kushtetutë”.

Gjithashtu, ritheksohet fakti se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjitha institucionet e vendit dhe se ajo do t’i zbatojë me përpikmëri ato. Presidentja kërkon nga palët të vetëpërmbahen nga presionet politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA