Nga Artan Mullaj: Kushtetuta jonë nuk ka të sharë. Shqipëria i ka të gjitha ligjet e duhura për të pasur një shtet ligjor përveç njërit: ligjit që siguron zbatimin e rreptë, kanunor dhe të egër të ligjeve ekzistuese. A mund të hartohet një i tillë: një ligj për ligjet, një ligj mbi ligjet, një kryeligj? Një supermen, i cili do mbartte në vetvete sigurinë e zbatimit të tij?
Një rregull i fortë, i hartuar për një shoqëri të paaftë si kjo e jona, që s’ka mundur ende të krijojë një rutinë demokratike në çështjen e respektimit dhe zbatimit të rregullave të përbashkëta. Shqipëria e kaloi natën e tranzicionit shkalafitur, si i humburi në pyll, për shkak se nuk kish këtë kryeligj, këtë vullnet. Do sillet ende si e verbër në rrugën e synimeve që ka, nëse nuk merr fund shkrehja e Kushtetutës dhe e ligjeve të saj, përmes fillimit të një nisme të tillë sublime. Shoqëria është në kohën e artë të bëjë një marrëveshje kombëtare në këtë pikë; të pranojë se duhet të krijojë një ligj biblik, me fushëveprimi ndërgjegjen kolektive të njerëzve, një ligj shpirtëror që do të mund të imponojë respekt edhe vlerë. Duke qenë se shtetin ligjor e përfaqëson vullneti i përbashkët për të zbatuar ligjet dhe rregullat,- i shprehur me një “kryeligj” të tillë,- ky vullnet do të thotë të ndezësh një yll drite në qiellin e natës: “yllin polar të drejtësisë”; kjo ndezje do ta orientojë shoqërinë drejt integritetit, integrimit dhe normalitetit të gjërave; do ta ndihmojë shoqërinë të shkojë në drejtimin ku drita e Rilindjes, e agimit, pritet të feksë. Dikush mund të thotë: sa iluzore për t’u marrë seriozisht kjo gjë!
Shumëkujt mund t’i duket fyese, përbuzëse, meskine, inflative të sugjerosh hartimin e një ligji të tillë, i pashkruar kurrkund e askund ndonjëherë.… Katastrofë ta mendosh, por, më keq akoma, zi e skëterrë është paaftësia jonë kolektive për të respektuar veten, duke respektuar ligjet dhe rregullat që hartojmë… Për një arsye ende të paqartë, shoqëria jonë nuk e ka të instaluar në ndërgjegje instinktin vetëmbrojtës ndaj rebelimit që sjell dobësia kolektive për të ndarë të mirën nga e keqja; ne nuk kemi vullnet të arsyeshëm për të respektuar marrëveshjet shoqërore që bëjmë; ne nuk mund të jetojmë mes paqes së heshtur të gjërave, ku respektimi i rregullave është kolona e mirëbesimit. Ne nuk kemi ende një shtet ligjor! Ne jemi befasues! Të pabesueshëm! Të veçmuar! Të vetmuar në marrëzinë tonë! Inteligjentë për të bërë ligjet poemë, djallëzorë për të mos i respektuar e vlerësuar ato.
***
Për të dalë nga kjo rrjetë metaforash, krijimin e së cilës e frymëzon përbindshëm veçantia jonë, le të flasim më konkretisht. Lind pyetja: Si mund të materializohet kjo ide? A mund të futet në axhendën civile të vendit një ligj i pashkruar, i pathënë, mbi ligjet, mbi njerëzit, mbi sistemin, me pushtet të dyfishtë? Një ligj që do ta bëjë efikas vullnetin e mirë të njerëzve me ose pa pushtet dhe ligjet e Kushtetutës sonë? Çfarë gjëje e ç’fuqi mund të instalojë në vetëdijen e njerëzve detyrimin, dëshirën dhe sigurinë e respektimit të rregullave? Njerëzit?! Joooo! Do kishte ndodhur qyshkur në kohën e Nanos dhe Saliut. Është i qartë dëmi ynë gjenetik në këtë pikë. Atëherë, çfarë? Marrëveshjet, kontratat, përbetimet? Jo! Jo! Jo! 20 vjet na mjaftuan për të kuptuar që njerëzit, marrëveshjet, qeveritë nuk mundeshin, ndoshta nuk dinin, ndoshta nuk donin, apo thjesht ndoshta s’puqeshin gjëkundi me normalitetin… Atëherë, çfarë vullneti, çfarë fuqie, fantazie e shenjtërie do të mund të ndezë “yllin polar” të shtetit ligjor në Shqipëri?
Përgjigjja është një e vetme: fatale dhe idiote njëherësh. E vetmja fuqi është vetë shteti ligjor, ai që nuk ekziston. A mund të krijojë vetveten diçka që nuk ekziston?! Të krijosh energji edhe vlerë nga mosqenia, kjo është një logjikë e marrë dhe e përzotshme. A mund të krijohet diçka nga asgjëja? Përgjigje nuk ka, por përgjigjja është po, për ata që besojnë se ashtu si Zoti krijoi botën, nga asgjëja mund të krijohet diçka vetëm për një shkak të përzotshëm, të një magjie, të një fuqie, që, të tillë -magji dhe shenjtëri- e bën përqendrimi i fortë, goditja në qendër.
Është pushteti. Kjo fuqi, kjo magji është pushteti. Për një kundërshti të arsyes, pushteti, derivati i shtetit, thirret të krijojë shtetin ligjor.
Çfarë dua të them?! Të ndezësh një yll polar në qiellin e zi të shqiptarëve do të thotë “të godasësh në qendër”. Të përdorësh pushtetin për të ndërtuar shtetin, shtetin ligjor, që mungon. Të shkulësh, të kthesh përmbys për të ndërtuar gjithçka nga e para, atë vetë.
Çdo të thotë “të godasësh në qendër”? Do të thotë të bësh gjënë e duhur, në kohën e duhur, me njerëzit e duhur… Do të thotë të supozosh që pushteti të ketë vullnet jashtëtokësor, të ketë vizion engjëllor, të ketë vullnet qiellor për të marrë vendime sublime për reformimin e fortë të vendit, që do t’i paraprijnë shtetit ligjor. Ngjizjet që priten të ndodhin, përmes reformave që thuhen e shkruhen nga qeveria, duhet të kenë shenjtërinë e dhimbjes: kjo do të thotë shënjestër në qendër. Asgjë nuk lind, e ca më pak rilind, pa dhimbje: vetëdija për dhimbjen do të sjellë realizimin e këtyre reformave, ngjizur me besimin se vetëm duke kaluar përmes dhimbjes dhe mallkimit të tyre, kjo shoqëri do të edukohet më në fund me rutinën e vlerave dhe respektimit të ligjeve. Edukim do të thotë emancipim! Emancipim do të thotë ndryshim kolektiv i perceptimeve. Kjo nuk është punë e lehtë… Situata është kaq keq, sa, në një farë kuptimi, duhet kërkuar ndihma e qiellit për të luftuar rutinën e deritanishme. Shqipëria duhet të vrasë të tashmen për të shpëtuar të ardhmen! Çdo alternativë tjetër është një iluzion më shumë në vargun e mashtrimeve pafund që kanë sunduar këtë vend, këta njerëz, këtë kohë.
***
Duhet goditur në qendër! Të godasësh në qendër nuk do thotë të prodhosh ligje, por të krijosh mekanizmin që siguron zbatimin e tyre. Pra, kryeligjin! Të godasësh në qendër nuk do të thotë thjesht të bësh reforma, por të reformosh shkaqet dhe jo pasojat e tyre. Edhe kryeligji, edhe reformat duhet t’i shërbejnë pikësëpari cilësisë dhe rezultatit. Jo imazhit! Jo dukjes! Për një qeveri që punon fort dhe ka rezultate, heshtja nuk është thjesht modesti, është virtyt.
Të reformosh pasojat nuk ka as kuptim, as vlerë. Nuk mund të reformosh pasojat e degjenerimit të shtetit të shkuar, nëse nuk reformon më parë shkaqet e tyre, sensin logjik të bërjes dhe të mosbërjes së gjërave.
Nuk mund të reformosh arsimin e lartë dhe arsimin parauniversitar pa reformuar më parë shkaqet që e katandisën arsimin shqiptar në një kooperativë të tipit të lartë për kaq vjet. Dhe shkaqet janë jo pak: mentaliteti i mësimdhënies, tekstet antishkollore, auditimi bolshevik, sistemi i thinjur i konkurrencës, seleksionimi pedagogjik, elita këshillimore dhe arsimore apo, më saktë, mungesa e saj dhe sidomos kërkimi shkencor i paqenë.
Analiza e këtyre shkaqeve, e në vazhdim reformimi i tyre, por jo reformimi i pasojave negative të tyre, duhet të udhëheqë çdo proces, çdo sfidë, çdo perspektivë.
Nuk mund të reformosh bujqësinë, pa krijuar rutinën e prodhimit. Çdo të thotë të krijosh rutinën e prodhimit? Do të thotë të prodhosh produktet e duhura, në kohën e duhur, për tregun e duhur, sipas një strategjie të duhur, që merr parasysh paratë që ofrohen, projektet, mundësitë, kostot, specifikat, kapacitetet, eksperiencën e paqenë të bujqve tanë etj., etj.
Është e kotë të synosh të reformosh rendin në vend, pa reformuar më parë drejtësinë, gjykatat dhe prokurorinë, që vlerësojnë punën e Policisë së Shtetit. Një nga arsyet e kriminalitetit në Shqipëri është korrupsioni i gjykatave, të cilat lirojnë kriminelët e korruptuar. Policia e Shtetit kësisoj është e zhveshur nga rëndesa e vëmendjes që mund t’i sjellë çdo reformim…
***
Sundimi i kryeligjit që thamë është “goditje në qendër”. Ky sundim duhet të veprojë pikësëpari në drejtësi e më pas në arsim, shëndetësi, rend, ekonomi, bujqësi e me radhë.
Edhe një herë: të godasësh në qendër do të thotë të sigurosh krijimin e një shteti ligjor; do të thotë të reformosh shkaqet e gjendjes, jo pasojat e gjendjes. Nëse nuk reformon shkaqet, por synon të reformosh apo të përmirësosh pasojat e tyre, fasadat, dukjet, gjithçka rrezikon të shkojë dëm. Është si të krijosh një koleksion patkonjsh për një kalë që nuk e ke akoma. Vullneti i mirë, fantazia e spikatur, shija në zgjedhje, befasimi për të, të gjitha këto mund të sjellin vëmendje, shpesh edhe adhurim, por nuk do të na ndihmojnë të kemi kalin… karrocën, mbërritjen që duam…
Nuk është e rëndësishme të harxhosh shumë energji për të bërë shumëçka, dhe këtë shumëçka ta shoqërosh me zhurmë e propagandë, duke harxhuar energji të tjera për to. E rëndësishme është goditja në qendër; energjitë dhe paratë në dispozicion duhet t’i shërbejnë pikërisht këtij përqendrimi, kësaj vëmendjeje. Nuk vlen aq të hedhësh pa pushim shigjeta në erë, duke harxhuar energji edhe kohë, sa vlen vëmendja, përqendrimi në tërheqjen e një shigjete të vetme që do arrijë atje ku duhet, aq shpejt sa duhet, aq fort sa duhet, aq përkushtuar sa duhet, për të goditur qendrën, shenjën, objektivin…
Dhe objektivi i parë është siguria që ne jemi një shoqëri e emancipuar, që mund të bëjmë reformat e duhura, duke respektuar veten, ligjet, Kushtetutën, pa kushte, pa kompromis, pa zvarritje.
Top Channel