
Këshilli i Sigurisë në OKB ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, pas zhvillimit të një takimi emergjence me dyer të mbyllura në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme.
Bisedimet erdhën pasi shefi i OKB-së e përshkroi bombardimin izraelit në një prej periferive të qytetit të Gaza-s si “një veprim mizor”.
Rreth 501 persona kanë vdekur deri më tani në Gaza, që pas nisjes së operacionit të Izraelit kundër militantëve të Hamas, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gaza-s, ndërsa rreth 3135 kanë mbetur të plagosur.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pritet të udhëtojë drejt Egjiptit për të diskutuar mbi krizën. Ai do të takohet me liderët politik në Kajro, të hënën, teksa përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim vazhdojnë.
Të dielën, Gaza përjetoi ditën më vdekjeprurëse që prej nisjes së ofensivës, më 8 Korrik, teksa u shënuan 13 ushtarë izraelitë të vrarë dhe më shumë se sa 100 palestinezë.
20 palestinezë janë vrarë në sulmet e ndërmarra deri tani gjatë kësaj të hëne, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gaza, 16 prej të cilëve në pjesën jugore të vendit.
Seanca e së dielës në mesnatë në Këshillin e Sigurisë, në OKB, u mblodh me kërkesë të Jordanisë, që besohet të ketë propozuar një draft-rezolutë me fjalë të ashpra, për t’u marrë në konsideratë.
Gjithsesi, anëtarët mundet vetëm të bien dakord mbi “elementët për të ushtruar presion”, apo ajo që konsiderohet si forma më e dobët e veprimit të Këshillit të Sigurisë.
Top Channel