Nga Andrea Stefani: Presidenti Nishani, në pozicionimin e tij definitiv si fanatik i Sali Berishës, ka bërë një tjetër prononcim publik kundër Kryeministrit Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të vërë nën tutelën e tij të gjithë institucionet e shtetit, madje edhe vetë Nishanin. Dhe vendosmërinë e tij për të mos ju nënshtruar Ramës dhe që i ka rrënjët te besnikëria e tij për Berishën, Presidenti për piqet ta shesë në publik si devocion ndaj pavarësisë së institucioneve dhe Kushtetutës. Bujari i varur përjetë nga Berisha kërkon të shitet si Nishani që “tmerrohet” nga rreziku i rënies së institucioneve në vartësi të kryeministrit.
***
“Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës sonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij” – shkruhet në deklaratën e Presidentit. Në prozë krejtësisht e padenjë për një kryetar shteti ku llafollogjia boshe i ka zënë vendin koncepteve. Sepse aspirata nuk është dhe nuk mund të jetë një e drejtë. Ashtu sikundër e drejta nuk mund të jetë një aspiratë. Në momentin që aspirata realizohet duke u bërë një e drejtë, ajo pushon së qenë një aspiratë. Por sa kohë aspirata nuk është arritur, ajo nuk është një e drejtë. Nëse aspirata do të ishte e drejtë dhe e drejta aspiratë, atëherë nuk do kishim as të drejta dhe as aspirata. Dallimi mes aspiratës dhe së drejtës është si dallimi mes së realizuarës dhe së parealizuarës. Marrëdhënia e tyre është si ajo e natës me ditën që nuk bëhen kurrë bashkë në kohë dhe hapësirë. Por mediokriteti i Presidentit tonë bën mrekulli dhe arrin t’i bashkojë.
***
I fokusuar te lumturia, Nishani nënvizon se “…në qoftë se këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont, duke cenuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste”. Tani na del se lumturia nuk është më një e drejtë, por një dëshirë, pra i afrohet aspiratës. Madje një dëshirë e hershme (sa?) e humanizmit! Të paktën të shkruante e humanitetit sepse humanizmi nuk është subjekt, por një qëndrim etiko-filozofik dhe si i tillë, mund të ketë dëshira.
***
Por të vijmë tek institucionet e pavarura që po na sulmoka Kryeministri Rama. Nishani, mesa duket, ka parasysh, mbi të gjitha, veten e kamufluar me institucionin e Presidentit. As vetë Nishani nuk e beson se është i pavarur nga Berisha. Ai është në atë post pikërisht sepse Berisha kishte garanci për vartësinë e tij të patundur kur e zgjodhi me shumicën e kartonëve, duke shkelmuar edhe sugjerimet e ndërkombëtarëve për një President konsensual. Dhe ka qenë po ky Nishan që, në një qeveri dhe në një parti me Berishën, nuk është alarmuar as për edhe një moment, por ka bashkuar forcat dhe energjitë me autokratin për të sulmuar institucionet e pavarura, Presidentin Alfred Moisiu dhe më pas Bamir Topin. Ka qenë në një llogore me Berishën kur është sulmuar dhe sharë, madje dhunuar, institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, duke e penguar antikushtetutshmërisht të bëjë detyrën. Është bashkinvestuar me Berishën në kapjen e institucioneve të tredhura me kohë nga Berisha.
***
Duke i fryrë rrezikut imagjinar të humbjes së “pavarësisë” së institucioneve të varura, Nishani nënvizon se “Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla. Ashtu?! Por kur paska ndodhur një gjë e tillë, mos vallë në 8 vitet e autokratizmit berishist? Për fat të keq, dhe për shkak të kontributit prej skllavi të politikanëve si Nishani, Shqipëria nuk është ndarë përgjithmonë nga mendësi të tilla. Edhe vetë Nishani është produkt politik i një praktike totalitare dhe absolutiste të zotit të tij politik Sali Berishës. Nishani është mishërimi i zbatimit praktik të gjakimit autokratik të Berishës për kapjen e shtetit. Me politikanë të “pavarur” si Nishani në krye të institucioneve të rëndësishme, Berisha vazhdon të mbajë të kapur shtetin, edhe pse ka thuajse një vit që ka dorëzuar pushtetin.
***
“Sistemi politik i themeluar mbi demokracinë dhe shtetin ligjor me Kushtetutën si garant e udhërrëfyes, shoqëria shqiptare e cila tashmë ka kaluar sprova të mëdha në kërkim të lirisë dhe konsolidimit të saj, procesi integrues dhe vetëdija europiane e popullit tonë nuk e lejojnë një gjë të tillë”. Sprovat më të mëdha, shoqëria shqiptare i ka kaluar në përballje me autokratizmin e Berishës të promovuar për dekada me radhë nga fanatikë të Berishës të kallëpit të Bujar Nishanit. Dhe shpresojmë të ketë arritur një vetëdije të tillë sa të mos lejojë që institucionet e shtetit të kapur nga një pushtet i rrëzuar, të mbeten në shërbim të pushtetit të rrëzuar për të mbrojtur fitimet korruptive të pushtetit të rrëzuar. Shpresojmë që duke mbështetur lirimin e institucioneve të shtetit nga kapja e pushtetit të vjetër, nuk do të lejojë që të kalojnë në vartësi të pushtetit të ri. Por kjo është një aspiratë që nuk ka të bëjë fare me njerëz si Nishani që janë investuar për dekada në favor të autokratizmit.
***
“Shqiptarët kanë nevojë për të vërtetën dhe jo iluzionin e saj që është manipulimi” – shkruan Nishani. Po cila është e vërteta? E vërteta shumë e hidhur është kjo: Shqipëria është një shtet i korruptuar, sepse nuk ekzistojnë institucionet e pavarura që e luftojnë korrupsionin në gjirin e qeverive dhe pushteteve. Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni shumëmilionësh në qarqe të larta të politikës lidhet pikërisht me këtë handikap. Por çfarë u thotë Presidenti Nishani shqiptarëve? I thotë krejt të kundërtën e kësaj të vërtete të hidhur. I thotë se në Shqipëri ekzistoka sistemi i themeluar mbi shtetin ligjor dhe Kushtetutën që nuk lejon përqendrimin e rrezikshëm të pushteteve në një dorë. Nëse vërtet qenka kështu, përse shqetësohet Nishani? Më tej, po të qe se në Shqipëri do ekzistonte shteti ligjor, nuk kuptohet se përse Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së? Por shteti ligjor është akoma një aspiratë dhe jo një realitet në Shqipëri. Por si çdo demagog, edhe Nishani ka qejfin apo aftësinë të ngatërrojë aspiratën me realitetin.
***
“Qeveria, mesa duket, dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri. Ëndërr e keqe kjo! Vizion i frikshëm”, – shkruan Presidenti. E si mund ta besosh këtë politikan?. Sepse një politikë për një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD në vartësi të Kryeministrit, vetë Nishani e ka mbështetur dhe votuar për të paktën 8 vite rresht kur ishte ministër i Kryeministrit Berisha. Produkte të shëmtuara të këtij gjakimi autokrat ishin edhe presionet brutale deri edhe rrugaçërore mbi Kryeprokuroren Ina Rama dhe Presidentin Bamir Topi. Në atë kohë Nishani ishte pjesë e këtij vizioni dhe ëndrre autokratike. Vetë zgjedhja e Nishanit, e këtij fanatiku të verbër të Berishës në postin e Presidentit, është realizim i këtij vizioni të frikshëm.
***
A jemi të gatshëm si shoqëri që ta bëjmë të lumtur Kryeministrin duke i dhënë pushtet të pakufizuar?! – pyet retorikisht Nishani. Nëse pas 23 qershorit, Kryeministër do të ishte Berisha, Nishani do kish qenë shumë i lumtur ta bënte edhe më të lumtur Kryeministrin duke i dhënë pushtet të pakufizuar. Por meqenëse Kryeministri sot quhet Edi Rama, Nishani nuk është i lumtur ta bëjë të lumtur Ramën, duke i dhënë atë pushtet të pakufizuar që do t’ia jepte lumturisht Berishës. Duket sikur dialektika e demokracisë ka bërë që Nishani nga partizan i gjithë pushteteve në grushtin e Berishës, të bëhet një partizan i kufizimit të pushteteve të Kryeministrit Rama. Por a është ky fakt shenjë e devocionit ndaj ndarjes së pushteteve dhe lirisë që mbin nga kjo ndarje? Aspak! “Presidenti i Republikës nuk kërkon dhe as pranon fasadën e etikës, por kërkon dhe nxit etikën e ligjit dhe respektin institucional- premton Nishani”. Në të vërtetë, të gjitha këto që shkruan, dëshmojnë se ajo që po zbaton Nishani është etika e fasadës, etika e një Presidenti të varur që shitet si i pavarur, e një Presidenti që jep alarmin për kapjen e institucioneve të kapura, që përpjekjen për çlirimin e institucioneve e shet si kapje dhe kapjen si pavarësi.
Gazeta Shqip
Top Channel