Berlini pret heronjtë

15/07/2014 00:00

Mijëra gjermanë u mblodhën në Berlin për t’i uruar mirëseardhjen heronjve të tyre që kthehen nga Brazili me Kupën e Botës.

Fluturimi që solli 23 futbollistët e kombëtares gjermane dhe gjithë stafin teknik të saj u ul në Berlin në mëngjesin e së martës. I pari që zbriti ishte kapiteni Filip Lahm me trofeun e Kupës së Botës në dorë, i ndjekur nga Shvajshtajger i mbuluar nga flamuri gjerman.

Ky është akti i parë i një ditë të ngjeshur me aktivitete të shumta që kulmuan me ceremoninë kryesore në Portën e Brandenburgut. Qindra-mijëra tifozë i kanë pritur në sheshin kryesor të Berlinit, ndërkohë që skuadra ka hipur në një autobus i cili kishte të stamposura vitet kur Gjermania ka fituar kupën e botës , 1954, 1974 dhe 1990 dhe 2014. 

Atmosfera është më shumë se festive dhe turma të mëdha njerëzish me fanelën me katër yje, aq sa edhe Kupat e Botës së fituara nga Gjermania, janë në pritje të parakalimit përmes qytetit me trofeun nëpër duar të skuadrës së tyre.

Gjermania u shpall kampione e botës në finalen kundër Argjentinës në Maracana të Rio de Janeiro-s falë një goli të shënuar nga Mario Goetze në minutën e 113-të të takimit.

Ky ishte titulli i katërt kampion për gjermanët dhe i pari pas 24 viteve. I fundit i fituar prej tyre ishte ai i vitit 1990, kur sërish 1-0 mposhtnin Argjentinën.

Ndërkohë përfaqësuesja e Argjentinës është kthyer një ditë më parë në Argjentinë, pasi ka humbur finalen me Gjermaninë  1-0. Disa mijra kanë qenë tifozët që e kanë pritur edhe përfaqësuesen e tyre menjëherë sapo autobusët kanë dalë nga aeroporti, duke treguar një mbështetje të madhe për skuadrën, pavarësisht mosarritjes së qëllimit për të ngritur kupën.

Top Channel