Mustafa Nano – Sapo mbarova së lexuari një libër të një mikut tim, italian.
Quhet Darwin Pastorin, dhe është gazetar sportiv. Titulli i librit është ‘Adesso, abbracciami Brazile!’. Ngjarjet në të, afërmendsh, nuk kanë të bëjnë me Brazilin e këtyre ditëve. Po kanë të bëjnë me Brazilin, dhe me futbollin, por jo me spektaklin e Botërorit, sipari i të cilit ulet sonte në mbrëmje vonë, në skenën e Maracana-së.
Në këtë libër me nota autobiografike, Pastorin rrëfen mbi një udhëtim që ka bërë në Brazil, në Rio de Janeiro, në vitet 1980, me synimin për t’i marrë një intervistë Zikos, futbollistit të famshëm të Flamengos që atëmot ishte blerë nga Udinese. Ishte një transferim që përbënte lajmin kryesor në Brazil ato kohë. Të gjithë flisnin veç për këtë ngjarje. Faqet e para të gazetave dhe edicionet e lajmeve në TV hapeshin e mbylleshin me Zikon. Tifozët e Flamengos ishin si të shastisur, e gati nuk arrinin ta besonin se “Peleja i bardhë” po u ikte.
Pastorin mbërriti në Rio, por të nesërmen, aty ia fillon një shi me gjyma e një stuhi që provokon dëme e përmbytje të mëdha në qytet, sidomos në favela-t. Gazetari italian ish duke ndjekur live televizionin RedeGlobo; ishin lajmet dhe ata po flisnin për herë të n-të lidhur me largimin e yllit carioca. Por papritur, në ekran u shfaqën pamje tronditëse. Telekamera kish kapur një favela të zhytur në baltë e në ujë. Një reporter vinte vërdallë mbi një varkë të vogël, nga ato që përdoren edhe nga shkodranët në rrethana të ngjashme. Ai kish hedhur një mushama krahëve, e sikur të mos ish mjaft ky fakt, mbante dhe një çadër të madhe për t’u mbrojtur. Ndalon pranë një pesëdhjetëvjeçari, që ish i zhytur në ujë deri në mes, e po bënte të ikte diku, ndoshta në shtëpi, ndoshta në punë. Pastorin ish i sigurt se telekronikani do t’i jepte një dorë, ta ndihmonte, t’i thosh se nuk mund të rrinte në ujë gjatë, pasi mund të merrte ndonjë plevit, por gati nuk po u besonte as syve, as veshëve, teksa po ndiqte raportimin. Telekronisti i vuri mikrofonin përpara hundës, dhe e pyeti: Zotëri, ç’mendim keni lidhur me largimin e Zikos?
Tronditja e gazetarit nga Torino nuk mbaron këtu. Ai priste që banori i Rios t’ia merrte mikrofonin, t’ia hidhte fytyrës, t’i thosh se duhet t’i vinte turp për këtë pyetje idiote, në një kohë që ai, tok me mijëra të tjerë, ishin në hall, por ndodhi bash e kundërta. Zotëria që po intervistohej, pas një psherëtime, gati me lot në sy, ia bëri: “Nuk arrij ta besoj këtë që po ndodh. Jam shumë i pikëlluar. Nuk kam lënë ndeshje të Zikos pa ndjekur. Por unë shpresoj që ai të kthehet shpejt”. Dhe pas kësaj, kamera kapi telekronikanin, që u mjaftua t’i thosh: “Faleminderit zotëri, ishit shumë i sjellshëm. Mirupafshim e paç fat!” Dhe e la aty, të zhytur në ujin në ngjyrë të baltës.
E gjitha kjo ngjarje ju duket e pabesueshme, surreale? Ata që nuk e ndjekin futbollin, ata që nuk e njohin, ata që nuk kanë ndjekur asnjë ndeshje të Botërorit 2014, e sidomos ata që, në emër e në respekt të shijeve të tyre “më buzëholla”, e përbuzin këtë pasion banal (më zunë sytë që dikush kish sjellë këto ditë edhe një konsideratë të Jorge Luis Borgesit: futbolli është popullor ngaqë idiotësia humane është popullore), me siguri do të skandalizoheshin nga kjo që rrëfen Pastorin. Dhe nuk është se ka arsye të skandalizohesh me faktin që ata skandalizohen. Logjika elementare, e thjeshtë, e pastër, e kulluar të thotë se ndërmjet dy kategorive të njerëzve që skandalizohen, të drejtë kanë të parët. Mirëpo, vetvetiu të vjen ta shohësh këtë ngjarje edhe nga ana tjetër. Dhe ta lidhësh me Botërorin që ndoqëm për më shumë se një muaj. Ndoshta as me këtë lidhje nuk mund t’i vihet një emër sjelljes së pacipë të gazetarit dhe përhumbjes fatale të atij banorit të Rios, por mund të ndodhë që Botërori të të ndihmojë për ta kuptuar sadopak gjithë këtë situatë, edhe pse efekti i shock-ut mbetet.
Botërori, sidomos ky Botëror, ishte një spektakël i hareshëm, që e mbajti një copë herë të shtendosur e të relaksuar këtë botë nevrotike, në të cilën ne jetojmë. Afërmendsh, nuk i zgjidhi problemet e botës, as problemet tona (sikur të zgjidheshin me spektakle këto probleme!), por na tërhoqi të gjithëve me magjinë e vet, ndoshta me budallallëkun e kotësinë e vet, me brohorimat, me zellin patriotik që demonstrohej gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare, me lojtarët që qanin si fëmijë teksa këndonin himnin e tyre, me reagimet e tifozëve në shkallët e stadiumeve, me paqen nëpër ato shkallë, me lotët e brazilianëve pas humbjes me Gjermaninë, me lotët e fëmijës së Roben-it pas ndeshjes Holandë-Argjentinë, me bisedën që Presidenti amerikan zhvilloi në telefon me portierin e kombëtares së SHBA-vsëe, Tim Howard, me shtetarët që gjenin kohë për të shkuar në stadium ditën që do të luante skuadra e vendit të tyre etj., etj.
Gjatë këtij muaji edhe mass-media u bë më e lehtë, madje – për fat – edhe më mendjelehtë. Lajmet e dhembshme e të frikshme i zhvendosën në plan të dytë. Fokusin e vunë në Brazil. Dhe aty bënin të gjitha zhbirilimet e gjetjet e mundshme. Fjala vjen, me t’u marrë vesh se në finale do të ndesheshin Gjermania me Brazilin, gazetat zunë të kërkonin një përthyerje jo sportive të kësaj finaleje. Dhe e gjetën. Zunë ta shohin kotmëkot, por në mënyrë gazmore ama, edhe si një ndeshje mes dy Papëve, atij emeritus e atij që është në detyrë. I pari është gjerman, e as që ka dhënë shenja se e vë ujin në zjarr për futbollin. Madje, duket se është “tepër akademik” për t’i kushtuar vëmendje një argëtimi dosido. Ndërsa i dyti është, kështu duket, një njeri që di ta ndjekë njeriun deri edhe në pasionet e veta banale, madje duke i bërë edhe të vetat këto pasione.
E meqë jemi te Papa i Romës, ishte e lezetshme ajo që tregonin gazetat para ndeshjes Argjentinë-Zvicër. Papa Françesku, para se të hynte në Vatikan, ndali çapat para një roje, i cili, si të gjithë rojat e Vatikanit, është zviceran. E pa në sy, dhe i tha: Sonte do të jetë një luftë për jetë a vdekje. Dhe me këtë frazë, sado butaforike që të ngjajë, Papa i Romës nxjerr në evidencë frymën e frymëzimin e një show sportiv, siç është ky i Botërorit të futbollit. Është një show i tillë që, kështu si bën Papën “të harrojë” se funksioni i tij është transnational, bën që edhe njerëzit e zakonshëm “të harrojnë” se kanë halle shumë të mëdha. Por është thjesht një copë herë që ndodh kështu. E ç’të keqe ka në këtë mes?
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel