Andrea Stefani – Në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil rrjedhojat e globalizmit po shfaqen si triumf i shtetit që sfidon kombin!
Kush po luan atje, skuadrat kombëtare apo përfaqësueset e shteteve? Një pyetje që lind vetiu kur shikon se në ekipet rivale kontribuojnë lojtarë të kombësive të ndryshme dhe puna ka arritur deri aty sa dy vëllezër të luajnë në “kombëtare” të ndryshme! E pra, si mund të luajnë me ekipin e një kombi lojtarë që u përkasin kombësive të tjera, që kanë të tjerë himne, që valëvisin të tjerë flamuj?
***
Situata që shpaloset në Kampionatin Botëror të Futbollit shpreh qartë atë ndryshim të madh që po ndodh në sajë të globalizmit, të hapjes së shoqërive dhe shteteve, shpreh atë trazim a konfuzion që vjen nga vjetrimi i koncepteve që nuk janë në gjendje të pasqyrojnë saktë një realitet të ri. Është fjala për konceptin e kombit, i cili po konflikton gjithnjë e më hapur me realitetin e shteteve që po bëhen, në sajë të globalizimit, gjithnjë e më pak kombëtare.
***
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) organizon Kampionatin Botëror të Futbollit, duke pretenduar se ato që luajnë janë ekipet kombëtare (national teams). Por tashmë ky është një nocion që nuk pasqyron më saktë realitetin që po shohim edhe në këtë Botëror. Sepse, sikundër konstatonte edhe Mustafa Nano në një shkrim të para disa ditëve, në Botërorin e Brazilit, që është duke u zhvilluar, janë 218 lojtarë që kanë dy pasaporta në xhep. Gjashtëdhjetë syresh e kanë franceze njërën nga pasaportat. Janë 53 ata që e kanë italiane njërën pasaportë, 53 janë ata që e kanë spanjolle, 40 gjermane etj. Pra, pa u futur në detaje, po konstatohet se skuadrat “kombëtare” janë gjithnjë e më pak kombëtare. Në “kombëtaren” amerikane gjen gjermanë, ka turq që luajnë për Gjermaninë apo “francezë që luajtën për Algjerinë, braziliani Diego Costa luajti për Spanjën, shqiptari Januzaj u federua me Belgjikën, nja 6 shqiptarë kontribuuan me sukses për Zvicrën dhe për sa u përket vëllezërve Boateng, njëri u shfaq si gjerman dhe tjetri si ganez. E çfarë ka në këto ekipe për t’i quajtur kombëtare? Thuajse asgjë. Ato janë kombëtare po aq sa është kombëtar ekipi i një klubi futbolli që blen futbollistë nga e gjithë bota.
***
Por situata nuk do të shfaqej kaq paradoksale nëse realitetin e ri e lexojmë me koncepte që përputhen me të dhe jo me koncepte të vjetra që nuk mund ta pasqyrojnë saktë. Për shembull, nëse në vend të kombëtareve, ekipeve përfaqësuese të kombeve, të themi se luajnë ekipet përfaqësuese të shteteve. Në këtë rast do të kishim një përputhje të konceptit me realitetin e shkaktuar nga hapja e shteteve, emigracioni dhe globalizmi, të cilit nuk i shpëton dot as futbolli. Sepse vërtet do kemi lojtarë të kombësive të ndryshme që luajnë në një ekip, por që janë edhe shtetas të të njëjtit shtet që luajnë për ekipin e futbollit të shtetit ku kanë marrë shtetësi. Pra, nuk do të kemi më ganezë që janë bërë gjermanë, gjermanë që janë bërë amerikanë, shqiptarë që janë bërë zviceranë, por ganezë që jetojnë në Gjermani, shqiptarë që jetojnë në Zvicër apo gjermanë që jetojnë në SHBA ku janë bërë qytetarë, shtetas të atyre shteteve, prandaj luajnë për ato shtete.
***
Për ne shqiptarët, ajo që po dua të them, bëhet më e qartë po t’i referohemi Kosovës që është shtet më vete, por që në pikëpamje kombëtare, është shqiptare. Nesër FIFA mund t’i akordojë Kosovës, dhe kjo duket nuk do vonojë, të drejtën të ketë ekipin e saj kombëtar të futbollit. Nëse do pranojmë që do kemi të bëjmë me përfaqësuesen e shtetit të Kosovës, nuk lind asnjë problem. Por nëse do të thuhet “kombëtarja” e Kosovës do kishim një problem: Kosova do konsiderohej komb më vete nga kombi shqiptar. Do të kishim kombin kosovar me ekipin e tij kombëtar.
***
Dukuria mund të quhet e rregullt nëse kombin e barazon me shtetin. Siç bëjnë, për shembull, francezët dhe që na duket e gabuar. Sepse të pranosh këtë tezë, do të thotë të pranosh që kombet lindin e vdesin bashkë me shtetet. Që për shembull, me ndarjen e Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë, kishim dy kombe gjermane, ndërsa sot, me bashkimin, kemi një. Që sa kohë Kosova ishte nën Jugosllavinë e Titos apo Serbinë e Millosheviçit, qe pjesë e kombit shqiptar, por në momentin e shpalljes së mëvetësisë nga Serbia, u bë komb më vete edhe nga Shqipëria. Përplasje të tilla të koncepteve të vjetruara me logjikën e shëndoshë apo atë që ofron realiteti mund të gjenden plot. Prandaj, që të shmanget kjo përplasje dhe konfuzion që rrjedh prej saj, duhen ndërruar konceptet.
***
Globalizmi, miksimi i sportit dhe i të gjitha veprimtarive njerëzore, po nxjerrin jashtë loje si të vjetruara emërtimet e organizmave botërorë të krijuara në një kohë kur shteti komb ishte njësia bazë e makromarrëdhënieve që për këtë shkak, u quajtën edhe “ndërkombëtare”. Por ja ka ardhur një kohë që është më e saktë t’i quash ato ndërshtetërore. Është më e saktë ta quash FIFA-n Federatë Ndërshtetërore të Futbollit apo edhe OKB-në, Organizata e Shteteve të Bashkuara të Botës. Një “revolucion” në koncepte nevojën e të cilit po na e shpalos fusha e futbollit në Brazil, ku shteti pluralist dhe i hapur po sfidon racizmin dhe ksenofobinë e kombit të mbyllur.
Top Channel