Mediat kryqëzojnë Brazilin

09/07/2014 00:00

Të masakruar, të turpëruar, të zhgënjyer, të poshtëruar… Këto janë fjalët me të cilat gazetat braziliane kanë shfryrë zemërimin e tyre ndaj kombëtares së tyre e cila pësoi atë humbje aq të thellë me Gjermaninë.

Marakanaja e vitit 1950 është harruar, ndërkohë që Mineiraco është tashmë fjala e re e cila futet direkt në historinë e futbollit dhe njëkohësisht të tragjedive sportive në Brazil.

“Turp dhe poshtërim historik, Gjermani–Brazil 7-1”. Ky është titulli i sportives braziliane ‘OGlobo’ e cila shkruan se kombëtarja e Lëvit tregoi gjithë gjakftohtësinë e saj përballë një skuadre e cila qëndroi statike.

“Masakër!” Kështu kanë menduar ta titullojnë eleminimin drejtuesit e të përditshmes ‘Folha di San Paolo’. Gazeta ‘Valor’ vendos që në titull: “Humbja 7-1, është humbja e parë pas 94 vjetësh me kaq shumë gola diferencë, ndërkohë që humbja më e thellë në Kupat e Botës është 3-0.”

Ndryshe është situata tek mediat gjermane, të cilat ashtu si vetë kombëtarja e Lëvit nuk e kishin imagjinuar kurrë një fitore kaq të thellë. “Pa fjalë” është titulli i prestigjozes ‘Bild’, e cila ka si foto kryesore gëzimin e lojtarëve pas njërit prej golave.

“Masakër botërore” e ka cilësuar ‘Berliner Zajtung’ e cila si foto kryesore ka lojtarët David Luiz dhe Gustavo, të dy të shkatërruar nga humbja.  

Po kështu e kanë titulluar edhe dy gazetat sportive më me emër në Spanjë, ‘Marca’ dhe ‘As’, ndërkohë që francezja ‘L’Equipe’ fitoren 7-1 të Gjermanisë e ka titulluar: “E pabesueshme!”
 

Top Channel