Gjysmëfinalja, 1 minutë heshtje për Di Stefanon

09/07/2014 00:00

Së bashku me Federatën argjentinase të Futbollit dhe klubin spanjoll të Real Madrid-it, FIFA ka vendosur që gjithë komuniteti global i futbollit t’i bëjë homazhe Alfredo di Stefano-s, pikërisht në ndeshjen e sotme gjysmëfinale të Botërorit, atë mes Holandës dhe Argjentinës.

Një minutë heshtje do të mbahet përpara fillimit të ndeshjes, në përkujtim të Di Stefano-s, ndërkohë që një foto e tij do të shfaqet në ekranet gjigante të stadiumit. Për më tepër, ekipi kombëtar “albicelest” do të mbajë në krahë edhe një shirit të zi.

Di Stefano, një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë së futbollit, u nda nga jeta të hënën, më 7 Korrik, në moshën 88-vjeçare, pasi ishte goditur më parë nga një atak kardiak. Ai ndihmoi veç të tjerash Realin e Madridit të fitonte 5 tituj radhazi në Champions League.

Top Channel