Nishani reagon për përzgjedhjen e gjykatësve

08/07/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është përgjigjur shkresës së kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotit Gramoz Ruçi dhe zotit Petrit Vasili, lidhur me procesin e përzgjedhjes nga ana e presidentit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Presidenti i quan pretendimet e nisura si të pavërteta dhe të pambështetura në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë.

Kreu i shtetit thotë se janë absurde pretendimet e dërguara në letrën e Ruçit dhe Vasilit, të cilët shpreheshin se “Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit”.

Sipas presidentit, në këtë proces janë përfshirë edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Nëse i shikojmë me vëmendje dhe krahasojmë konstatimet dhe rekomandimet tuaja, thotë Nishani, ato janë kontradiktore, pasi jo vetëm nuk mbështeten në dispozitat e ligjit, mbi të cilat është zhvilluar deri tani praktika e emërimit, por as në pretendimin tuaj se këto dispozita janë shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel