Gjermanët bëjnë historinë në tokën e brazilianëve, duke shpërfytyruar 7-1 kombëtaren 5 herë kampione të botës.
Edhe tifozi më i zjarrtë i Gjermanisë nuk do ta kishte menduar në asnjë moment atë 29 minutësh të luajtur në Belo Horizonte ndaj vendasve të shtëpisë, Brazilit.
Pa Neymar dhe pa Thiago Silva-n, ‘Selecao’ hyn në këtë gjysmëfinale si një skuadër shumë e lehtë, pa peshë.
Fillon Myler në minutën e 11-të dhe më pas Klose, dy herë Kros bashkë me Khedira-n, për të çuar shifrat në 5-0 brenda 30 minutash loje. Me golin e shënuar Klose thyen edhe rekordin e numrit më të madh të golave të shënuar në Botërorë, me 16 të tillë.
Në pjesën e dytë Brazili sërish inekzistent, ndërkohë që Gjermania e kishte shumë të thjeshtë jo vetëm të mbrohej, por edhe të shënonte, dy herë me zëvendësuesin e Klose-s, Andre Schurrle, duke qenë krejtësisht e pamëshirshme, pasi në çdo moment që i jepej rasti e shënonte.
Ndërkohë goli i Oscar në fund, nuk zbut asgjë në këtë dëshpërim të thellë brazilian. Një humbje e tillë 7-1 për Brazilin është historike ashtu si edhe për Gjermaninë, e cila shkon në finale, duke përjashtuar turpshëm nga Botërori i tyre Brazilin, që pëson kështu zhgënjimin e dytë pas 64 viteve, ku sërish në një botëror që organizon në shtëpinë e tij, nuk arrin këtë herë, ndryshe nga ai i 1950-s të shkojë as në finale.
Finalistja tjetër e Botërorit “Brazil 2014” do të dalë nga çifti që luan sot në orën 22:00 mes Argjentinës dhe Holandës.
Top Channel