
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka vendosur se seanca e parë konstituive e Kuvendit do të mbahet më 17 korrik 2014.
Jahjaga ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit do të dërgojë në këtë institucion edhe propozimin për mandatarin e ri për kryeministër. Ajo ka siguruar se të gjitha veprimet e saj do të jenë të mbështetura në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjet në fuqi.
Vendimi i Jahjagës për seancën konstituive ka ardhur pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërkohë, liderët e tri partive të bllokut opozitar paszgjedhor, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë takuar sërish këtë të hënë. Krijimi i grupit të përbashkët parlamentar ishte temë diskutimi në këtë takim, i cili u mbajt në selinë e LDK-së.
Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa në deklaratën për media tha se bashkë me Haradinajn dhe Limajn biseduan në lidhje me përgatitjen e seancës së Kuvendit dhe konkretisht qasjen e grupit të përbashkët parlamentar në mbledhjen konstituese.
“Biseduam po ashtu për çështjet programore të cilat e forcojnë bazamentin e qeverisjes sonë në periudhën e ardhshme katërvjeçare, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me periudhën pas çertifikimit të deputetëve”, tha Mustafa.
Ai shtoi se ata vazhdimisht do mbajnë takime ditore, por në forma të ndryshme. Gjithashtu, Mustafa u shpreh i bindur se ata kanë të drejtë të formojnë një grup parlamentar edhe pas zgjedhjeve dhe tha se do ta bëjnë një të tillë.
Rrjedhimisht i bie që sipas marrëveshjes së tyre, grupi parlamentar të përbëhet nga subjektet LDK-AAK-NISMA.
Top Channel