Cerekfinalet e para, reagimet e mediave

05/07/2014 00:00

Brazili u kualifikua për në gjysmëfinale, por lajmi se Neymar nuk do të luajë më gjatë këtij Botërori e ka prishur festën e skuadrës dhe e tifozëve brazilianë. Ylli i kombëtares së Felipe Skolarit u dëmtua pas ndërhyrjes së rëndë të Zunigës në minutën e 87 të ndeshjes. 

Neymar doli me barrelë nga fusha ndërkohë që u dërgua menjëherë në spitalin e Fortalezës. Pas ekzaminimeve dhe analizimit të rezonancës manjetike, mjekët kanë theksuar se 22-vjecari ka pësuar frakturë në vertebrën e tretë. Gjithsesi, mejku i kombëtares braziliane Rodrigo Lasmar ka theksuar se Neymar nuk do t’i nënshtrohet ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale, por do t’i duhet të qëndrojë jashtë fushave për 4deri në 6 javë.

Botërori humbet një nga protagonistët e tij, Brazili humbet njeriun i cili mund të çonte kombëtaren drejt triumfit botëror.

Lajmi për dëmtimin e Neymarit ka bërë që politikanë, artistë, sportistë apo dhe tifozë të thjeshtë të solidarizoheshin me sulmuesin. Në rrjetet e shumta sociale mbizotëronte fotoja e 22-vjecarit me diçiturën: Forca Neymar.
 
Mbrojtësi i Dortmundit, Mats Hummels, është heroi i mediave gjermane pas kualifikimit të kombëtares së tyre për në gjysmëfinalet e “Brazil 2014”. “Faleminderit Mats! Je si shpirt!” Ky është titulli kryesor i prestigjozes ‘Bild’, e cila thur elozhe edhe për portierin Neuer. Në artikujt e kësaj gazete për ndeshjen thuhet se Hummels ishte autori i golit, por Neuer me dy pritjet e tij bëri që ai gol të mbetej goli i gjysmëfinales.

Mediat franceze janë të trishtuara për atë eleminim dhe për disa prej tyre titulli kryesor ishte: “Fundi i historisë”. Ndërkohë, ‘France Football’ ka dashur ta çdramatizojë pak situatën duke vendosur për titull një thënie të sulmuesit anglez Gary Lineker: “Dhe në fund fitojnë gjermanët”.

Top Channel