Brazil-Gjermani, më shumë se një gjysmëfinale

05/07/2014 00:00

Gjermani-Brazil do të jetë gjysmëfinalja e parë e botërorit të këtij viti. “Brazil 2014” do të përjetojë një finale të parakohshme, pasi do të përballen dy gjigandët botëror, dy kombëtare të cilat e kanë fituar më shumë këtë trofe dhe për më shumë që në start të këtij kompeticioni shiheshin si pretendentët më të mëdhenj për fitimin e këtij botërori.

Brazili mundi 2-1 Kolumbinë dhe shpërbleu pritshmërinë e mijëra tifozëve në stadium dhe miliona të tjerëve në mbarë botën.

Skuadra e drejtuar nga Felipe Scolari, e cila në këtë sfidë bëri lojën më të bukur deri tani në këtë botëror kaloi në avantazh me Thiago Silva-n në minutën e 7.

Pas pësimit të golit Kolumbia tregohet konfuze, ndërkohë që brazilianët nuk arrijnë të dyfishojnë rezultatin duke shpërdoruar disa raste të pastra.

Kolumbianët ndryshuan taktikë në pjesën e dytë, gjë e cila i bëri ata më të rrezikshëm. Por në momentin më të mirë të tyre Brazili shënoi golin e dytë. Është sërish një mbrojtës, këtë herë David Luiz që dyfishoi rezultatin me një goditje dënimi.

Kolumbianët shkurtuan diferencën e golave më 11-metërshin e Rodruguez në minutën e 78, i cili me 6 gola në 5 ndeshje vendos rekord të ri në një botëror.

12 minutat e mbetura janë një ankth për brazilianët, të cilët falë forcës së mbrojtjes dhe mesfushës arrijnë ta mbyllin ndeshjen me këtë rezultat dhe të sigurojnë gjysmëfinalen.

Kolumbia kthehet në shtëpi pa arritur të marrë një fitore ndaj Brazilit, e cila i mundon që prej 23 vjetësh.

Ndërkohë Scolari duhet të fillojë të mendojë seriozisht për kundërshtarin e radhës dhe për zëvendësimin e Thiago Silva-s dhe ndoshta të Neymar, i cili u dëmtua dhe doli nga fusha me barrelë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA