“Jam 18 vjeç, por me 32 vite përvojë”

04/07/2014 00:00

Një festë e rezervuar, sa private dhe politike në 50-vjetorin e tij në godinën qendrore të qeverisë në Sallën e Hartave, e cila ka nisur rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur pak më shumë se një ore, ku nuk kanë munguar veç urimeve, edhe dhurata e batuta politike.

Kjo ka qenë ditëlindja e Edi Ramës, në të cilën veç bashkëpunëtoreve, kishte edhe të ftuar të veçantë, si edhe ata që konsiderohen si surprizë.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka falenderuar të gjithë ata që e kanë uruar në përvjetorin e 50-të të lindjes nëpërmjet një postimi në profilet e tij në internet.

Keqardhjen për kalimin e viteve Kryeministri e ka përcjellë me humor kur shkruan “Faleminderit me zemër për urimet e panumërta dhe pse me kujtoni papushim se s’jam më i ri:-) Po mbase mund të jetë edhe kështu, shkruan ai më tejdhe përmes një fotoje përcjell shprehjen e njohur: “Jam 18  vjec, por me 32 vite eksperiencë”.

Kjo ka qenë e vetmja pjesë publike e ditëlindjes së Kryeministrit Rama, ndërsa privatisht për 50-vjetorin e lindjes ka organizuar një festë që e ka ndarë me ministrat, deputetët e grupit parlamentar të PS, një pjesë të trupës diplomatike në vend, ndër ta edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, bëjnë me dije burime për Top Channel.

Në festën e organizuar në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku ka munguar kryetari i Kuvendit Ilir Meta për shkak të vizitës së tij në Izrael, ka rënë në sy prezenca e 5 deputetëve të PDIU-se, që renditen në opozitë.

Mësohet se torta tradicionale e ditëlindjes ka ardhur nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, vendi i të cilit feston gjithasthu në këtë ditë festën kombëtare të SHBA. Për këtë shkak torta ka qenë e ndarë përgjysmë, në njërin krah me flamurin amerikan dhe në gjysmën tjetër urimi për ditëlindjen për kreun e qeverisë Rama.

Ky ka qenë rasti që deputetët me kontribute të hershme në Partine Socialiste të ishin në qendër të vëmendjes në këtë festë, pasi nga zyra e tij deri në Sallën e Hartave Kryeministri është shoqëruar nga Gramoz Ruçi, ndërsa tortën Rama e ka prerë së bashku me Arta Daden e ka ngritur dolli për Pandeli Majkon.

Por mësohet se batuta që ka spikatur në këtë festë e Kryeministrit Rama ka qenë drejtuar deputetëve të PDIU-së. Në momentin e ndarjes së tortës, në pjesën e bardhë të saj Kryeministri i është drejtuar Shpëtim Idrizit duke iu ofruar atij të marrë nga pjesa e bardhë e saj.

Batuta e bërë nga shefi i qeverisë në drejtim të PDIU-së vjen në një moment kur ka pasur disa veprime politike të kësaj force, ku nuk i është bashkuar pjesës tjetër të opozitës në aksionin politik në Kuvend apo në vendimin për bojkot të tij, ashtu si edhe pjesëmarrja e kreut të qeverisë në aktivitetin e PDIU-së për javën çame.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta