Bankat pesëfishojnë fitimet

04/07/2014 00:00

Bankat private fituan rreth 50 milionë dollarë në 5 muajt e parë të vitit, mesatarisht 10 milionë dollarë në çdo muaj. Të dhënat e fundit zyrtare nga shoqata shqiptare e bankave tregojnë se krahasuar me një vit më parë, fitimet e sistemit bankar janë rritur me mbi 5 herë duke shënuar një rekord historik.

Shifrat tregojnë përmirësim të fortë në të gjithë treguesit që masin përfitueshmërinë e sistemit. Kthimi nga kapital, i cili mat fitimin e bankave në raport me paratë e investuara nga aksionerët e tyre, arriti 11.2 për qind në fund të pesëmujorit.

Kjo do të thotë se për çdo 100 lekë kapital të investuar në bankë aksionerët kanë marrë mbrapsht 11.2 lekë fitim për pesë muajt e parë. Një vit më parë shifra ishte 2.2 për qind.

Përmirësimi i fortë i treguesve vjen në një kohë kur aktiviteti kryesor që kryejnë bankat, ai i ndërmjetësimit financiar, është në tkurrje krahasuar me një vit më parë.

Prej disa muajsh depozitat në sistem kanë ngrirë, ndërsa kredia në fund të pesëmujorit ishte 1.7 për qind më e ulët se një vit më parë.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se pjesa kryesore e rritjes së fitimeve të gjeneruara nga bankat lidhet me rënien e fondeve që ato duhet të lënë mënjanë për të mbuluar kreditë e këqija.

Këto të fundit, prej disa muajsh kanë ndalur rritjen dhe janë stabilizuar në nivelin 24 për qind. Kjo i ka çliruar bankat nga detyrimi për të ngrirë fonde të reja shtesë në formën e provigjoneve për mbulimin e humbjeve që vijnë nga kreditë me probleme.

Por përtej kësaj, të dhënat tregojnë se 2014, vit i cili për ekonominë dhe qytetarët parashikohet sërish një vit i vështirë, duket se nuk do të jetë i tillë për sistemin financiar.

Top Channel