Apeli lë në fuqi shkarkimin e Bushatit

04/07/2014 00:00

Pak ditë më parë Gjykata e shkallës së parë pranoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e Endira Bushatit nga funksioni i kryetares në detyrë të Autoritetit të Medias Audiovizuale.

Kërkesa erdhi për shkak se ndaj zonjës Bushati ka nisur një proçedim penal dhe se ajo konsiderohej se duke qëndruar në këtë detyrë mund të ndikonte në vazhdimësinë e hetimeve.

Por, ndonëse zonja Bushati sulmoi gjyqtarin e çështjes për këtë vendim dhe e ankimoi atë në Gjykatën e Apelit, sot pikërisht kjo gjykatë ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për pezullimin e Bushatit.

Ky vendim i formës së prerë, përveç pasojave personale për zonjën Bushati, e shndërron praktikisht AMA-n në një institucion në krizë. Që tani e tutje AMA është një institucion pa kokë, pasi kryetarja është e pezulluar dhe nuk e ushtron më detyrën.

Nënkryetari Sami Neza ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion disa muaj më parë dhe prej dy vjetësh AMA vazhdon të ketë mangësi me katër vende vakante, nga shtatë anëtarë që duhet të ketë ky institucion për të ushtruar normalisht detyrën.

Top Channel