Brazili, në “ankth” nga çerekfinalet

03/07/2014 00:00

Sfida të ekuilibruara, shumë ndeshje që zgjidhen vetëm në kohën shtesë dhe barazia mes skuadrave, që dikur quheshin të forta dhe atyre që shiheshin si më të dobta, kanë bërë që ky Botëror të cilësohet si më i bukuri i të gjitha kohërave.

Brazil 2014 ka ardhur tashmë në fazën e çerekfinaleve, të cilat priten të sjellin jo pak surpriza.

Francë-Gjermani / Hendeku mes dy skuadrave është shkurtuar gjatë viteve. Franca ka bërë një Botëror mjaft të mirë dhe është një nga 3 skuadrat, që u kualifkua në këtë fazë brenda 90-minutave. Ndërkohë, Gjermania ka treguar ulje, nga ai start shumë i mirë, deri te kualifikimi me shumë vuajtje ndaj Algjerisë. Pavarësisht këtyre statistikave, kombëtarja e Low shihet më favorite nga kompanitë e basteve, të cilat fitoren e tyre e kanë kuotuar 2,4 kundrejt 3, të Francës. Kjo është hera e katërt, që këto dy skuadra përballen në çerekfinale. Tradita flet për Gjermaninë, por forma dhe rezultatet në “Brazil 2014” theksojnë se “gjelat” e frikshëm të Deschamps nuk duhen nënvlerësuar.

Brazil-Kolumbi / Edhe pse jemi në Brazil, futbollin më të bukur për syrin e tifozëve e ka bërë Kolumbia e Pekerman. Argjentinasi ka ngritur një kombëtare me emra jo shumë të njohur, por ata kanë prodhuar lojë, spektakël, sigurisht dhe gola. Edhe pse nuk kanë shkëlqyer në tokën e tyre, “Selecao” e Scolarit është më favorite, kjo dhe për faktin se kanë humbur 2 nga 25 përballjet direkte me kolumbianët. Brazili ka treguar se është shumë i varur nga loja e Neymar, i cili në çerekfinale duhet të shpikë dhe të tentojë më shumë, për ta çuar skuadrën e tij në gjysmëfinale.

Argjentinë-Belgjikë / Lionel Messi është ai, që e solli Argjentinën deri këtu. Nga 7 gola të kombëtares, 4 i ka shënuar ai. Te belgët, situata është më ndryshe. Lojtarët janë shumë më bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe fati i tyre nuk varet te një lojtar. A do të arrijë Messi, edhe përballë belgëve, të tërheqë skuadrën drejt fitores dhe sigurisht drejt gjysmëfinaleve?

Holandë-Kosta Rika / Kjo është një sfidë, e cila shihet si pa shumë histori. Holandezët janë sigurisht favoritë përballë kostarikanëve, të cilët në fazën e grupeve eleminuan Italinë dhe Anglinë. Ky Botëror ka pasur shumë surpriza, por nëse Robben, Van Persie dhe Sneijder do të jenë në ditën e tyre më të mirë, atëherë do të jetë shumë e vështirë që Kosta Rika të bëjë mrekullinë.

Top Channel