Ajo që opozita dhe të zgjedhurit e saj vendorë i paraqesin qeverisë si ofertë bashkëpunimi për reformën administrative-territoriale është një rezolutë me 5 pika, që ka në thelb të saj decentralizimin e pushtetit vendor, një koncept që nuk është në objektin e komisionit parlamentar, ku opozita nuk merr pjesë.

“Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës”, deklaroi Basha.

Oferta e opozitës nuk përmban një hartë konkrete të ndarjes territoriale, sepse harta sipas kreut të Bashkisë së Tiranës konsiderohet një kurth, për të mos folur për problemet reale të qytetarëve dhe pushtetit lokal.

“Harta, harta, 37, 26, 47, një lojë e turpshme kungulleshkash dhe një mjegullnajë që përpiqet ta lodhë djallëzisht qytetarin dhe ta largojë nga kjo vendimmarrje kyçe, që ka të bëjë me problemet e përditshme të tij. Si do jetë shkolla ku do çojë fëmijën? A do ketë vend në kopësht? A do ketë ngrohje? Kur do kemi ujë 24 orë? Nëse do kenë akses tek një i zgjedhur i tyre për të qarë hallin me të”, deklaroi Basha.

Kjo konventë e të zgjedhurve vendorë të opozitës konsiderohet prej tyre si shansi që qeveria nuk duhet ta humbë për të bashkëpunuar me opozitën në favor të qytetarëve dhe jo të llogarive elektorale.

“Një thirrje arsyes dhe vullnetit të mirë, për t’u ulur të gjithë dhe për të përcaktuar së bashku drejtimet e vërteta se si të ecim përpara”, theksoi Basha.

Por megjithëse fjalët “konsensus”, “bashkëpunim”, “interesa të qytetarëve” u dëgjuan shumë shpesh gjatë konventës, u duk qartë se nuk kishte shumë vend për optimizëm.

“Pse jemi skeptikë? Sepse e kanë nisur dhe duan ta përfundojnë vetëm me hartën. Sepse s’kemi dëgjuar asnjë fjalë të vetme se si mund të fuqizohet pushteti vendor, se si të bëhet më i fortë, më llogaridhënës, më përgjegjës dhe më përgjigjës ndaj qytetarëve”, u shpreh Basha.

Koncepti i opozitës për ta nisur reformën me decentralizimin e për të shkuar në fund tek harta territoriale kërkon më shumë kohë se 31 korriku, fundi i sesionit parlamentar, që është dhe mundësia e fundit që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me ndarje të re territoriale.

Por për Lulzim Bashën, koha është më e parëndësishmja dhe jo pa ironi i kujtoi Edi Ramës sesi 7 vjet më parë vendi shtyu zgjedhjet lokale të dekretuara nga presidenti.

“Kemi treguar se kur ka vullnet është gjetur kohë edhe për probleme nga më meskinet, si çertifikatat e 2007-s. Nga ana jonë ka vullnet, nuk ka teka dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë se standardi evropian. Por nuk mund të pranojmë asgjë më pak”, shtoi Basha.

Top Channel