Ligji, më pak persona do mbajnë armë

02/07/2014 00:00

Ligji për armët dhe ai për përdorimin e armëve nuk ka kaluar pa debate në komisionin e ligjeve. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke paraqitur dy ligjet tha se do të ketë rregulla të forta përshtatur sipas Bashkimit Europian se kush mund të ketë armë me leje.

Ndërkohë, Policisë së Shtetit dhe çdo force tjetër do t’i hiqet Kallashnikovi si edhe pistoleta TT e konsideruar si armë luftarake dhe do të pajisen me armë të tjera.

Për të marrë një armë me leje tashmë duhet të kesh patentë për të, ndërsa e drejta për ta patur u hiqet drejtuesve vendorë, si edhe gjykatësve apo ministrave.

“Ligji i ri vendos si kriter dëshminë e aftësisë teorike e praktike për përdorimin e armës, që do të thotë se nga Policia e Shtetit e deri tek policitë private nuk do mund të mbajnë më armë me potencial maksimal si Kallashnikov apo TT”, deklaroi Tahiri.

Duke iu referuar ngjarjes së 21 janarit, ministri Tahiri tha se në ligjin e ri të përdorimit të armës ndalohet kategorikisht përdorimi i saj, qofte edhe për paralajmërim për shpërndarjen e protestave.

“Duke iu referuar këtij shembulli, armët u përdorën gjerësisht kundër protestuesve. Kjo do të ndalohet plotësisht dhe askush nuk do mund të përdorë më armë ndaj protestuesve në të ardhmen”, saktësoi Tahiri.

Opozita nuk ka patur rezerva për ligjet, por për situatën e rendit publik. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi u përfshi në një debat me ministrin Tahiri, ku shqetësimi mbetej vrasja e bankierit Artan Santo. Për ministrin e Brendshëm duhet nxitje për prokurorinë për të zbardhur këtë çështje.

“Po për kriminelët që lëvizin me motor pa targa me javë të tëra përreth një ndërtese dhe vrasin 50 metra larg saj një biznesmen, ç’mund të na thoni zoti ministër? Kjo për ne është siguria publike. Sa nga këto qindra grabitje me armë të ndodhura këto 6 muaj janë zbardhur? Sa nga këto 50 vrasje që kanë ndodhur këto 6 muaj janë zbardhur? Po ato të biznesmenëve?”, deklaroi deputeti Halimi.

“Ministri nuk merret me përhapjen e armëve në duart e popullsisë, përgjegjësinë për të cilën e ka ai që ke ti mbi kokë, që në ‘97 hapi depot dhe e la vendin si mos më keq. Sa i përkët ngjarjes së fundit, është sigurisht një ngjarje shumë e rëndë dhe ne po hetojmë. Janë hetime të vështira, po drejtohen nga prokuroria dhe kjo e fundit ka nevojë për nxitje më të fortë”, u përgjigj Tahiri.

Të dyja ligjet u miratuan në parim vetëm nga mazhoranca, ndërsa dy deputë të opozitës, të vetmit prezent gjatë votimit, abstenuan.

Top Channel